
Studentët protestues, të hënën, kanë hyrë me forcë në oborrin e Rektoratit të Universitetit publik të Prishtinës. Gjatë përballjes me forca të shumta të policisë, mësohet se së paku 7 protestues janë lënduar.
Këto pamje do t’ia linin vendin, pak orë më vonë, atyre ku protestuesit u jepnin lule anëtarëve të njësisë speciale, si simbol i synimeve paqësore të protestës.
Marshit protestues të studentëve nga konviktet iu bashkuan qindra protestues nga shoqëria civile, punëtorë të ndërmarrjes “Sharri”, organizatat “Kipred”, “Cohu”, profesorë e ish-profesorë të UP-së, duke çuar numrin e protestuesve në rreth 800.
Në përkrahje të studentëve ishte edhe Organizata Politike nga Tirana.
Në lidhje me situatën e krijuar në UP, për herë të parë, ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Përmes një postimi në Facebook, Thaçi thotë të ketë takuar ministrin e Arsimit, Ramë Buja, dhe se ka kërkuar raportimin e tij në lidhje me UP-në.
“Duke respektuar autonominë e Universitetit të Prishtinës, u bëj thirrje organeve përkatëse të universitetit, që të dëshmojnë nivel të lartë përgjegjësie dhe, në bazë të statutit të Universitetit të Prishtinës, si dhe legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, të angazhohen për ta zgjidhur këtë situatë”, shkruan Thaçi.
Në anën tjetër, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, tha se tashmë është krijuar komisioni vlerësues dhe ka kërkuar që t’iu lihet hapësirë mekanizmave përkatës të veprojnë lidhur me këto probleme.
“Unë do të kisha propozuar, që t’iu lihet kohë e hapësirë këtyre mekanizmave të krijuar për të bërë punën e tyre dhe të vlerësojnë, e pastaj të mos amnistohet askush për veprimet e bëra dhe të angazhohen maksimalisht të tri pushtetet, sepse kjo nuk është çështje që i përket vetëm një mekanizmi, vetëm Ministrisë së Arsimit, për faktin që jemi një produkt i këtij universiteti të gjithë bashkë dhe do të duhej angazhim i përbashkët”, tha Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Përderisa protestuesit qëndronin në oborrin e rektoratit, Labinot Hajdari, nga zyra për informim e këtij institucioni, përmes telefonit tha se gjithë stafi menaxhues, duke përfshirë edhe rektorin Ibrahim Gashi, dhe prorektorët kanë qenë brenda objektit, duke vazhduar normalisht punën.
Në orën 16:00 protestuesit u shpërndanë të qetë, duke deklaruar se do ta vazhdojnë protestën deri në dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.
Prishtinë, studentët hyjnë në Rektorat
Studentët kanë hyrë me forcë paraditen e së hënës në oborrin e Rektoratit të UP-së në Prishtinë. Të paktën 7 persona janë lënduar duke u shtyrë me policinë që ruante objektin. Ndërkohë që në zonë ndodhen forca të shumta policore dhe njësia speciale.
Në protestë ndodhen rreth 800 vetë, shumica studentë që e kishin nisur marshin e paralajmëruar nga konviktet dhe atyre u janë bashkuar shoqëria civile, punëtorë të ndërmarrjes së Sharrit dhe Kipred dhe profesorë e ish-profesorë të këtij universiteti.
Protesta po vazhdon dhe studentët i shpërndanë lule njësisë speciale në mënyrë simbolike për t’u treguar se kanë qëllime paqësore. Studentët, të cilët protestojnë kundër rektorit Ibrahim Gashi, kanë në duar parulla si: “Zhbiroje UP-në”, “Pro akademisë-kundër hajnisë”, “UP pa hajna”, etj.
Ndërkohë që kryeministri Hashim Thaçi është shprehur për herë të parë për situatën e krijuar në UP. Ai ka shkruar një status në Facebook, ku thotë se pas takimit me ministrin e Arsimit, Ramë Buja ka kërkuar një raport prej tij.
“Duke respektuar autonominë e Universitetit të Prishtinës u bëj thirrje organeve përkatëse të universitetit që të dëshmojnë nivel të lartë përgjegjësie dhe, në bazë të statutit të Universitetit të Prishtinës si dhe legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, të angazhohen për ta zgjidhur këtë situatë”, shkruan Thaçi.
Në anën tjetër ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjatë raportimit në Komisionin për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport tha se tashmë është krijuar komisioni vlerësues dhe ka kërkuar që t’iu lihet hapësirë mekanizmave përkatës që të veprojnë lidhur me këto probleme.
Top Channel