Trepça duhet trajtuar ndryshe nga sa është trajtuar deri tani, duke u bazuar në udhëzimet që ka bërë komisioni i ekspertëve, që të nxirret një ligj sipas të cilit miniera do të vendoset në listën e ndërmarrjeve publike, ku qeveria dhe Kuvendi do të kishin pronësinë mbi të.

Këto komente i ka bërë ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli, në një tryezë diskutimi me temën “Statusi Pronësor i Kompleksit Trepça”, organizuar nga konsorciumi kosovar i shoqërisë civile, KOSID.

Me këtë rast ministri Ismajli ka theksuar se me statusin e ri të Trepçës, si ndërmarrje publike, kompleksi nuk do të mund të privatizohet, duke shtuar se kjo është e vetmja rrugë e organizimit të Trepçës.

Sipas numrit një të Ekonomisë së Kosovës, ligji mbi Trepçën do të vendosë vijat e organizimit të saj dhe do të hapë rrugën për rivitalizimin e kompleksit.

Pas miratimit të ligjit në Kuvendin e Kosovës do të fillojë riorganizimi dhe ristrukturimi i saj, me ç’rast do të bëhet ndarja e aseteve në ato thelbësore dhe jothelbësore.

Lidhur me këtë, ministri Ismajli ka saktësuar se asetet jothelbësore do t’i menaxhojë AKP-ja, ndërsa me thelbësoret do të merret shteti si aksioner.

Top Channel