Janukoviç rikthehet në detyrë

03/02/2014 00:00

Pas sëmundjes 4-ditore, presidenti ukrainas Viktor Janukoviç rikthehet në punë duke e gjetur situatën po aty ku e ka lënë: protestuesit kërkojnë në vazhdimësi largimin e tij nga pushteti.

Që prej nëntorit, rrugët e Kievit janë mbushur me demonstrues dhe trazirat së fundi janë shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Indinjatën popullore e nxiti pikërisht vendimi i Janukoviçit për të refuzuar marrëveshjen tregtare me BE-në në favor të relatave më të ngushta me Moskën dhe një huaje prej saj.

Sipas ‘Wall Street Journal’, aktualisht Bashkimi Europian dhe SHBA-ja po diskutojnë mundësinë e një huaje edhe më të madhe për Ukrainën e mbytur nga borxhet. Paketa e ndihmës do të jepet me kushtin që Kievi të “implementojë reforma të qenësishme dhe një tranzicion real”. Cështja e asaj që po quhet “një komardare shpëtimi” për Ukrainën u diskutua nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe shefja e diplomacisë europiane Catherine Ashton gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Rusia, aktualisht e përfshirë në një rivalitet diplomatik me bllokun europian për Ukrainën, deklaroi javën e kaluar se do ta vononte këstin e radhës së huase 15 miliardë dollarëshe. Ndërkohë, një nga drejtuesit e protestave në Ukrainë, Dmytro Bulatov, ka mbërritur në Lituani për trajtim mjekësor.

Bulatov deklaroi javën e kaluar se ishte rrëmbyer e torturuar nga njerëz që nuk i njihte. Qeveria thotë se konsideron akvistin viktimë të një rrëmbimi, por edhe person të dyshuar për organizimin e trazirave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB