“Etihad” pranë blerjes së “Alitalia”-s

03/02/2014 15:40

“Etihad Airways” dhe “Alitalia” janë pranë firmosjes së një marrëveshje, që do të lejonte kompaninë me qendër në Abu Dhabi të vendoste nën kontroll një pjesë të mirë të aksioneve të kompanisë më të madhe ajrore italiane.

Lajmi u konfirmua gjatë të hënës nga të dyja kompanitë.

Ndonëse nuk përcaktohen detaje të tjera, në deklaratë thuhej se bisedimet janë në fazën përmbyllëse dhe se brenda 30 ditësh mund të firmoset marrëveshja përfundimtare.

Asnjëra kompani nuk ka dashur të bëjë të njohur përqindjen e aksioneve që do të shiten, por besohet se “Etihad” mund të blejë deri në 40% të “Alitalia”-s.

Kompania emiratase është në një fazë zgjerimi, ndërsa gjatë 2013-s bleu aksione në disa kompani të tjera, si “Air Berlin”, “Aer Lingus” apo “Virgin Australia”.

Megjithatë, marrëveshja me “Alitalia”-n do të ishte më e rëndësishmja, pasi do të lejonte “Etihad”-in që të vendoste nën kontroll një prej tregjeve më të rëndësishme të udhëtarëve në Europë.

“Alitalia” shërben çdo vit mesatarisht 25 milionë pasagjerë, por një seri borxhesh ka dëmtuar reputacionin e saj, ndaj një marrëveshje që do të siguronte të ardhura të menjëhershme do të ishte e mirëpritur për kompaninë.

“Alitalia”, e cila është shpëtuar nga falimentimi nëpërmjet kontributeve të qeverisë italiane punëson 14 mijë italianë dhe konsiderohet si një prej bizneseve më të mëdha të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA