“BE, korrupsioni po mbyt demokracinë”

03/02/2014 00:00

Shkalla e korrupsioni në BE është marramendëse dhe ekonomisë europiane po i kushton çdo vit rreth 120 miliardë euro, e pohuar kjo nga vetë krahu ekzekutiv i bllokut.

Komisionerja e Çështjeve të Brendshme të Bashkimit Europian, Cecilia Malmstroem është duke paraqitur një raport të plotë mbi këtë çështje.

Në një shkrim të publikuar nga e përditeshmja suedeze “Goeteborgs-Posten”, ajo thotë se korrupsioni po gërryen besimin tek demokracia e po shteron burimet e ekonomisë formale.

Për hartimin e raportit u studiua niveli i fenomenit shqetësues në të 28 vendet anëtare.

“Përmasat e problemit janë të frikshme, edhe pse Suedia rezulton në radhët e atyre vendeve që e kanë atë më pak të theksuar. Vendet e tjera europiane duhet të marrin shembull prej saj e të mësojnë nga zgjidhjet që suedezet i kanë dhënë këtij problemi”, deklaroi Malmstroem.

Komisioni Europian sqaron se kjo është hera e parë që kryhet një studim i tillë. Në raport përcillen edhe rekomandime mbi menyrat sesi mund të veprohet për të frenuar korrupsionin.

Për luften e tij brenda bllokut, më shumë sesa insitucionet e BE-së përgjegjëse konsiderohen qeveritë e shteteve anëtare.

Bashkimi Europian ka një agjensi kundër abuzimit, “Olaf”, e cila fokusohet tek evazioni dhe korrupsioni qe prekin buxhetin e BE-së, por burimet i ka të kufizuara.

Në 2011-tën, buxheti i saj ishte vetëm 23,5 milionë euro. Malmstroem pohon se në disa vende, procedurat e prokurimeve publike janë shumë të cënueshme nga mashtrimet, ndërsa në shtete të tjera mbetet problem madhor financimi partiak apo dëmtimi i organizmave bashkiake.

Komisionerja përmend gjithashtu edhe rastet e shumta kur pacientëve u duhet të japin rryfshet në mënyrë që të marrin trajtimin e duhur mjekësor.

Bullgaria, Rumania dhe Italia konsiderohen vatrat te grupeve te krimit te organizuar në Bashkimin Europian, por krimet e jakave të bardha si evazioni fiskal kanë pllakosur shumë prej anëtarëve të bllokut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB