Traktatet e BE, Hollande kundër Cameron

31/01/2014 00:00

Presidenti francez Francois Hollande deklaroi të premten pas një takimi me kryeministrin britanik David Cameron, se Bashkimi Evropian nuk mund të ndjekë shembullin e një vendi të vetëm.

Hollande i cilësoi kërkesat e zotit Cameron për ndryshimin e traktatit të BE-së brenda vitit 2017, si një prelud për referendumin mbi anëtarësinë e Britanisë dhe si një opsion që për momentin nuk është prioritet.

“Ne mendojmë se rishikimi i traktateve nuk është prioritet për momentin. Nuk mund të pritet që një union të ndjekë shembullin e një vendi të vetëm në Evropë”, deklaroi Hollande.

Por zoti Cameron, gjatë samitit të përbashkët franko-britanik, deklaroi se mbetet i angazhuar për të ndryshuar lidhjet e Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian.

“Evropa ka nevojë për një konkurrencë më të fortë në ekonomi dhe për mënyra të reja për të zgjidhur më mirë shqetësimet e qytetarëve”, tha Cameron.

Partia Konservatore e kryeministrit Cameron ka premtuar se do të mbajë një referendum mbi qëndrimin ose jo në BE brenda vitit 2017 nëse fiton zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2015.

Konservatorët thonë se është jetike që anëtarësia e Britanisë të rinegociohet, gjë që do të sillte më shumë kompetenca për emigracionin, mirëqënien dhe drejtësisë.

Duke komentuar planin në fjalë të konservatorëve, presidenti Hollande tha se është e drejtë e Mbretërisë të mbajë një referendum të tillë, por shtoi se shpreson që Britania do të mbetet një anëtar efikas i Unionit.

Nga ana tjetër, Hollande refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve në lidhje me jetën e tij private, gjatë konferencës për shtyp në bazën e Forcave Ajrore Mbretërore, Brize Norton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB