Personeli administrativ i Rektoratit, mëngjesin e së premtes e filloi punën një orë me herët, për të shmangur protestuesit që për të katërtën ditë me rradhë do të bllokonin hyrjen.

Pas mbledhjes së protestuesve në atë që duket se po kthehet në një ritual e që siç paralajmërohet do të vazhdojë, nuk munguan as aksionet simbolike.

Gjatë ditës protestuesve iu bashkuan edhe 10 studentë kandidatë për bursë në shtetet e Evropës, të cilët erdhën në Rektorat pasi nuk arritën të kryenin proçedurat administrative brenda institucionit.

E për këtë Rektorati përmes një komunikate fajëson protestuesit për atë që e quan pengim të menaxhmentit të UP-së në Rektorat.

Këshilli protestues u takua gjatë ditës edhe me përfaqësues të Parlamentit Studentor të këtij Universiteti, të cilët kërkojnë ndërprerjen e protestave.

Por, mbështetja protestuesve u ka ardhur nderkohë nga larg. Doktorantë, hulumtues dhe staf akademik i universiteteve të ndryshme në BE, SHBA dhe Australi, kanë reaguar për gjendjen në UP me anë të nje deklarate.

“Ne shprehim solidaritetin tonë me studentët dhe pedagogët e  UP-së të cilët në një formë apo tjetër po i kundërvihen haptazi problemeve të mëdha me të cilat ballafaqohet ky institucion, dhe njëkohësisht thërrasim që menjëherë të realizohen kërkesat e tyre për të rishikuar gjendjen në universitet”, thuhet në deklaratë.

Përkrahje për studentët protestues shprehen edhe organizata shqiptare studentore në Gjermani e Austri. Protestuesit paralajmëruan për të hënën marsh nga qendra e studentëve deri te ndërtesa e Rektoratit.

Në anën tjetër nga Grupi i Pavarur i Studentëve është lançuar edhe një peticion online për dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.

Top Channel