“E urrej të shkoj në shtrat natën”, familja Osbourne rrëfen dhimbjen pas vdekjes së Ozzy-t
Bëhen gati 10 vite që nga koha e shfaqjes së virusit të parë tek telefonat inteligjentë. Sigurisht, virusi i parë nuk harrohet lehtë.
Të gjithë ata që kanë patur një telefon Nokia me sistem Symbian kanë qenë viktima ose kanë dëgjuar për “Cabir” ose thërritur ndryshe “Caribe”, i konsideruar si virusi i parë për telefonat. Ai mendohet se është krijuar nga grupi i piratëve informatikë “29A”, njëri prej grupeve më të njohur dhe të respektuar të hakerave.
Synimi i këtij grupi ishte t’i tregonin botës dobësitë e sistemit Symbian, në atë kohë kur Nokia ishte e gjithëpushtetshme në tregun e telefonisë celulare dhe po trumpetonte me pompozitet sistemin e saj me telefonat inteligjentë.
“Cabir” hapi kutinë e Pandorës. Që prej shfaqjes së parë të tij viruset për telefonat nuk u ndalën, madje u sofistikuan dhe për më tepër u ndërtuan edhe për qëllime fitimprurëse nga ndërtuesit e tyre. Kështu mbërriti “Commwarrior” në vitin 2005. Kundërshtari? Sërish sistemi Symbian i Nokia, por këtë herë, ndryshe nga “Cabir” që shpërndahej duke shfrytëzuar “Bluetooth”, ky shpërndahej nëpërmjet mesazheve multimediale, apo njohur si MMS.
Muaj më vonë, industria e viruseve për telefona arrin maturinë dhe në skenë del “RedBrowser”. Sistemi i goditur është edhe njëherë tjetër Symbian dhe këtë herë viktimat mashtroheshin duke u premtuar lundrim falas në internet, por që në realitet fshehurazi krediti i të infektuarve konsumohej.
Vjedhja e përdoruesve bëhet një lajtmotiv që arrin kulmin me “ZitMo”, një variant i virusit trojan “Zeus” i përhapur gjërësisht në Windows. Synimi? Vjedhja e kodeve të transfertave bankare online dhe sistemet e goditura ishin thuajse të gjithë, përfshirë Symbian, Windows Mobile (paraardhësi i Windows Phone), BlackBerry dhe Android.
Pikërisht ky i fundit regjistron numrin më të madh të strehimit të virusëve, nisur nga fakti që sot është sistemi më i përdorur në botë dhe nga lehtësitë që ka për shkarkimin e aplikacioneve edhe jashtë “Play Store”, dyqanit online të aplikacioneve që ofron Google.
Fantazia e hakerave u shfrenua tek sistemi Android, mjafton të përmenden disa prej viruseve të shpërndarë, ata që kanë ‘vënë më shumë emër’ si DroidKungFu, Plankton apo FakeDefend, që të gjithë mjaft kompleksë dhe të rrezikshëm.Nëse mendoni se jemi në kulmin e aktivitetit të viruseve telefonikë, gaboni rëndë. Fortinet, agjencia që ndërmori studimin e fundit të përhapjes së viruseve nëpër aparatet celularë thotë se vetëm në vitin 2013 janë gjetur 1300 aplikacione të dëmshme për telefonat dhe me përmbajtje virusi, ndërsa numri total i tyre që ofrohet vetëm për sistemet Android shkon në 400 mijë dhe vazhdon të rritet…ndaj këshilla; nëse keni një telefon inteligjent, kujdes kur dhe cfarë instaloni.
Top Channel