Soçi, Pentagoni ofron ndihmë

30/01/2014 00:00

Pentagoni ka rinovuar ofertën ndaj Rusisë për të ndihmuar në ruajtjen e
sigurisë gjatë Lojrave Dimërore në Soçi, por Moska është treguar
indiferente.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby, i cili ka saktësuar se qeveria ruse nuk ka shprehur aspak interes ndaj propozimit.

Gjithësesi, sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel dhe homologu i tij Sergei Choigu kanë pranuar të vendosin ura komunikimi, që u mundësojnë zyrtarëve të dy vendeve që të diskutojnë në rast nevoje.

Prej ditësh në qytet kanë zbarkuar mijëra trupa të sigurisë dhe ushtrisë ruse për garantimin e mbarëvajtjes së evenimentit sportiv.

“Rusia është e sigurt që do të mbajë një edicion të Lojrave Olimpike paqësor, argëtues dhe miqësor për të gjithë. Ne jemi të bindur për suksesin e Lojrave Olimpike”, tha dy ditë më parë ambasadori i Rusisë në Uashington, Sergey Kislyak për “CNN”.

Ai u shpreh “plotësisht i sigurt” se nuk do të ketë asnjë ngjarje terroriste gjatë Lojrave, pavarësisht kërcënimeve dhe sinjalizimeve shqetësuese në terren.

Megjithatë, republikani Peter King, një anëtar i Komisionit Amerikan të Sigurisë Kombëtare dhe nënkryetar i Komitetit të Anti-Terrorizmit pranoi se nuk ekzistojnë “100% garanci”.

“Këto Lojra Olimpike janë të kërcënuara. Janë më të kërcënuarat ndonjëherë që unë mbaj mend. Rusia ka marrë paralajmërime të shumta dhe ne kemi marrë masat tona”, deklaroi ai në një rrjet amerikan.

Në të vërtetë, disa grupe militantësh islamikë që luftojnë për pavarësinë e Dagestanit dhe Çeçenisë, me qëllim themelimin e një shteti islamik në këto territore, kanë paralajmëruar për përgjakjen e Lojrave.

Sulmet e Vollgogradit, qytetit rus ku dy shpërthime në tramvaj i morën jetën 34 personave në fund të dhjetorit, janë fatkeqësisht paralajmërimi më i mirë i asaj që mund të bëjnë militantët në këtë kohë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB