
Dy ligjvënës norvegjezë kanë nominuar ish-kontraktorin e Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), Edward Snowden, për çmimin Nobel për Paqe, lajm ky i publikuar gjatë së mërkurës në uebsajtin e partisë së tyre.
Snowden ka “zbuluar natyrën dhe nivelet teknologjike të përgjimeve moderne”, dhe me këtë veprim ka kontribuar për paqen, thuhej në deklaratën e përbashkët të Bard Vegar Solhjell dhe Snorre Valen, të Partisë Socialiste, e majtë në Norvegji.
Kandidaturat për çmimin Nobel për Paqen të këtij viti, – fitues të së cilit në të kaluarën kanë qenë figura si presidenti i ndjerë i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela; lideri i opozitës së Mianmarit (Burmas), Aung San Suu Kyi; si dhe presidenti Barack Obama – do të mbyllen ditën e shtunë, ndërkohë që fituesi do të shpallet në Tetor.
Sipas rregullores së Komitetit norvegjez të Nobelit, Solhjell dhe Valen janë të kualifikuar si ligjvënës kombëtarë për të shpallur kandidatura. Emrat e kandidatëve të çdo viti nuk zbulohen pa kaluar 50 vjet nga dhënia e çmimit.
“Nuk ka aspak dyshim se veprimet e Edward Snowden mund të kenë dëmtuar interesat për sigurinë e disa kombeve në periudhë afatshkurtër. Ne, jo domosdoshmërisht, duam ta falim apo ta mbështesim për të gjitha zbulimet e tij”, thuhej në deklaratën e Solhjell dhe Valen.
“Gjithsesi, ne jemi të bindur se debati publik dhe ndryshimet në politikë, të cilat ndodhën për shkak të informimit të Snowden, kanë kontribuar për qëllimin e një bote më të qëndrueshme dhe më paqësore. Veprimet e tij çuan në rikthimin e besimit dhe transparencës, si parimet kryesore në politikat e sigurisë botërore. Vlera e tij nuk mund të mbivlerësohet”.
Snowden mbetet ende në Rusi, ku ka fituar azil 1-vjeçar që prej Qershorit. Në SHBA, ai do të përballej me akuzat e spiunazhit dhe vjedhjes së pronës qeveritare, për shkak të rrjedhjes së detajeve sensitive të programeve të spiunazhit.
Top Channel