Protesta dhe festa në botë pas sulmeve ndaj Iranit, 23 të vrarë në Pakistan, përplasje pranë konsullatës amerikane
Studentët amerikanë që kishin ngelur të bllokuar në shkolla apo në
autobusët e institucioneve shkollore për shkak të dëborës në jug të
Shteteve të Bashkuara janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Ndërkohë, trupat ushtarake kanë shpëtuar udhëtarët e bllokuar dhe kanë shpërndarë ndihma në zonat problematike. Për shkak të stuhisë kanë vdekur të paktën 12 persona, shumica e të cilëve në aksidente rrugore.
Rreth 7.5 cm dëborë kanë shkaktuar kaos në rajonin që dominohet kryesisht nga moti i ngrohtë dhe ku banorët e shumë qyteteve nuk kanë qenë të përgatitur për këtë situatë.
Autoritetet u kritikuan për përgatitje joefikase, pavarësisht paralajmërimeve për ardhjen e stuhisë. Ndërsa autoritetet shkollore pritën deri mesin e së martës, kur dëbora vazhdonte të binte, për të dërguar studentët në shtëpi në ato rrugë ku trafiku ishte ende i mundur.
Mijëra studentë në Xhorxhia dhe Alabama e kaluan natën e së martës në palestrat e shkollave, ndërsa shumë të tjerë në Atlanta në autobusët e instituteve arsimore.
Guvernatori i Xhorxhias, Nathan Deal deklaroi se brenda së mërkurës të gjithë studentët në rajonin e Atlantas ishin kthyer në shtëpi.
Zoti Deal tha gjithashtu se Garda Kombëtare dërgoi makina ushtarake në autostradat e qyteteve për të lëvizur autobusët shkollorë të bllokuar dhe për t’u siguruar ushqime dhe ujë banorëve.
Shumë udhëtarë braktisën makinat në rrugët e ngrira për të kërkuar strehim nëpër kisha apo vende ku ishin ndezur zjarre. Ngrica në rrugët e Atlantës ishte aq e keqe saqë një oficer policie transportoi një fëmijë me motor dëbore.
Top Channel