SHBA: Rusia shkeli marrëveshjen raketore

30/01/2014 15:15

Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzuan jozyrtarisht Rusinë për shkeljen e një marrëveshje të firmosur në vitin 1987, mbi kufizimin e raketave balistike dhe bërthamore me rreze të mesme goditje.

“New York Times” citoi burime brenda Uashingtonit që thanë se Rusia ka nisur që të realizojë testime të ndaluara në bazë të traktatit, që prej vitit 2008.

SHBA nuk ka akuzuar ende publikisht Moskën për mosrespektimin e marrëveshjes së firmosur prej dy ish-presidentëve Gorbachev dhe Reagan, por ka informuar aleatët e saj në NATO për këtë shqetësim.

Në rrugë jozyrtare, duket se Uashingtoni i ka komunikuar këto ankesa Kremlinit disa herë gjatë 2013-s, por në të gjithë rastet rusët janë përgjigjur se nuk ka asnjë mosmarrëveshje për të zgjidhur.

“Zbatimi i marrëveshjeve të arritura në lidhje me traktatet e kufizimit dhe kontrollimit të armatimeve ka një rëndësi thelbësore për paqen në botë”, deklaroi një zyrtar i NATO-s për “BBC”.

Traktati i vitit 1987 ishte një prej arritjeve të mëdha të Luftës së Ftohtë, për vendosjen në kontroll të armatimeve të rrezikshme për secilin bllok.

Në bazë të marrëveshjes, u eliminuan plotësisht armët bërthamore dhe u kufizuan ato balistike me rreze veprimi nga 500-5 500 kilometra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA