Gjenevë, rifillojnë bisedimet e paqes

28/01/2014 15:35

Bisedimet e paqes midis palëve ndërluftuese në Siri rifilluan në Gjenevë, ndërsa gjatë të martës do të tentohet arritja e mirëkuptimit për të formuar një administratë të përkohshme civile në territoret ku zhvillohen luftime.

Qeveria dhe përfaqësuesit e opozitës janë duke negociuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë midis tyre në Zvicër, ndërsa gjatë pasdites secila palë do të bisedojë qëndrimin e saj me kryenegociatorin e OKB-së, Lakhdar Brahimi.

Në disa ditë bisedime, asnjëra palë nuk ka qenë e gatshme të tolerojë nga qëndrimet e saj, ndaj përparimet e arritura gjatë konferencës konsiderohen si “tejet të kufizuara”.

Gjatë të hënës, palët biseduan gjatë për t’i dhënë akses organizatave humanitare në qytetin e rrethuar të Homsit, por as për këtë nuk u arrit të firmosej një marrëveshje.

Megjithatë, në mënyrë të njëanshme, qeveria ka pranuar që të lejojë të largohen gratë dhe fëmijët e mbetur në zonat e kontrolluara prej kryengritësve.

Meshkujt gjithashtu do të lejohet të shoqërojnë familjet e tyre, por më parë duhet të regjistrohen në një listë emërore.

Sipas kryengritësve, ky propozim ka si synim të vetëm që të arrestojë dhe të përçajë popullsinë në “mbështetje të revolucionit”.

Konferenca e Paqes në Zvicër u reklamua gjatë fundit të 2013-s si një mundësi e mirë për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare në Siri, por përballë qëndrimeve kryekëput të kundërta, diplomatët po arrijnë të shkëpusin nga të dyja palët vetëm konçensione të vogla, për të përmirësuar jetën e civilëve brenda vendit.

Nga 22 milionë banorë që kishte Siria para luftës, 9,5 milionë prej tyre janë shpërngulur në vendet fqinje ose janë larguar nga banesat e tyre, duke u shndërruar në refugjatë brenda vendit.

Sipas “Human Rights Watch”, lufta i ka kushtuar jetën të paktën 130 mijë sirianëve deri më tani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA