Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Negociatori i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe për Sirinë, Lakdar Brahimi i cilësoi si “një fillim të mirë” bisedimet e paqes që u zhvilluan të shtunën në Gjenevë, mes opozitës dhe qeverisë siriane.
Ai pranoi se nuk kishte arritur shumë, por theksoi se po përpiqet të vendosë ekuilibrin mes tyre, së pari për çështjet humanitare. Brahimi tha se u diskutua dërgimi i ndihmave në Homs dhe të djelën do të flitet për lirimin e të burgosurve.
Takimi fillestar me ndërmjetësin e Brahimit zgjati gjysmë ore. Dy delegacionet hynë nga dyer të veçanta në selinë e OKB-së në Gjenevë dhe u ulën në të njëjtën tryezë, por nuk pati asnjë komunikim mes tyre.
Ndërsa takimi tjetër zgjati dy orë. Pak pas takimit të parë, krahu i djathtë i udhëheqësit të Koalicionit Kombëtar të Sirisë tha se procesi i tranzicionit ka nisur seriozisht.
“Sot ne kemi mundësinë të flasim drejtpërdrejtë me rregjimin. Ju e dini se diktatorët zakonisht nuk pëlqejnë të dëgjojnë, por sot ata duhet të na dëgjojnë ne dhe zërin e popullit të Sirisë dhe ajo që duam është tranzicioni nga diktatura në demokraci”, deklaroi ai.
Megjithatë, ambasadori i Sirisë në OKB, Bashar Xhafari, pjesë e delegacionit të qeverisë, më herët tha për BBC se është shumë herët për të folur për largimin e Bashar Al Assad dhe se kjo nuk është përparësi.
Çështja numër një, sipas tij, është t’i jepet fund terrorizmit dhe dhunës. Bisedimet paraprake nisën të mërkurën në Montrrë të Zvicrës dhe Brahimi u përpoq gjatë së enjtes dhe së premtes të bindte palët për të pranuar të takoheshin mes tyre.
Top Channel