Rusia: Snowden mund të qëndrojë sa të dojë

24/01/2014 15:50

Edward Snowden mund të qëndrojë në Rusi më gjatë nga sa ishte lajmëruar më parë, u komunikua ditën e premte nga kreu i Komitetit Parlamentar të Punëve të Jashtme në Dumën Ruse.

Sipas Alexy Pushkov, nuk ka asnjë presion mbi Snowden për t’u larguar nga vendi, ndërsa në gjykimin e ligjvënësit, afati i azilit të tij politik mund të shtyhet lehtësisht.

Aktualisht, 30-vjeçari Snowden jeton në Rusi mbi bazën e një azili të përkohshëm, që i lejon atij mbrojtje nga ndjekja ligjore për spiunazh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më parë gjatë javës, Snowden hodhi poshtë spekulimet për mundësinë e rikthimit të tij në SHBA, duke gjykuar se nëse kjo do të ndodhë, ai nuk ka asnjë shans për momentin që të marrë një gjykim me të vërtetë të paanshëm.

Qeveria amerikane, nga ana e saj, ka përjashtuar çdo mundësi për faljen e Snowdenit, i cili i bëri të njohur botës ekzistencën e një programi gjigant përgjimi telefonik dhe spiunimi kompiuterik, i shtrirë në të gjithë botën, nga ana e Agjensive Amerikane të Sigurisë.

Kryeprokurori Eric Holder, ka refuzuar mundësinë e amnistisë së plotë, por ka pranuar që t’i ofrojë avokatëve të Snowdenit një marrëveshje për uljen e dënimit, në rast se 30-vjeçari do të pranojë të rikthehet në mënyrë vullnetare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA