Shqipëria, vend pjesërisht i lirë

23/01/2014 00:00

Pavarësisht vlerësimit pozitiv të zgjedhjeve të 23 Qershor të vitit 2013, Shqipëria mbetet një vend pjesërisht i lirë.

Organizata “Freedom House” nxori të enjten raportin e përvitshëm për gjendjen e lirisë në botë, ku analizohen të drejtat politike dhe liritë civile të 195 vendeve dhe 14 territoreve të botës. Raporti mbulon ngjarjet e vitit të kaluar.

Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi. “Freedom House” e jep vlerësimin me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

“Freedom House” vlerëson pozitivisht zgjedhjet dhe tranzicionin paqësor të pushtetit. Partia Socialiste siguroi një fitore vendimtare, duke sjellë si rezultat largimin nga pushteti të kryeministrit Sali Berisha, i cili pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen si kryetar partie.

Në raport thuhet se problemi më serioz i procesit të zgjedhjeve ishte paralizimi i punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga konfliktet politike.

“Freedom House”, ashtu si dhe më parë, thekson faktin se dy partitë kryesore, PD-ja dhe PS-ja, janë thellësisht të polarizuara dhe të mbërthyera në një rivalitet të përqendruar te personalitetet. Raporti shkruan se përzierja e interesave të biznesit, atyre politike e mediatike, pengon zhvillimin e shtypit të pavarur.

“Freedom House” thotë se gjykatat, që kanë një buxhet të pamjaftueshëm, janë subjekt i ndikimit politik. Si shembuj përmenden emërimi i gjashtë gjykatësve, që konsideroheshin si aleatë të PD-së, në Gjykatën e Apelit, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë i drejtuar nga Presidenti Nishani; bllokimi nga ana e Nishanit i kërkesës së ish-Prokurores së Përgjithshme për të rimarrë detyrën e gjykatëses së Apelit, që asaj i takon sipas ligjit; dhe rihapjen e një hetimi të mbyllur për Ina Ramën për shpërdorim pushteti, lidhur me një shkarkim në vitin 2009.

Raporti thotë se në një përpjekje për të luftuar krimin dhe korrupsionin, qeveria e re ristrukturoi forcën e policisë, përfshirë atë të qarkullimit rrugor. Vlerësohet miratimi i ndryshimeve në kodin penal, që forcojnë dënimet për krimet e urrejtjes, si dhe ekzistencën e kuadrit ligjor kundër diskriminimit, përfshirë për orientim seksual, por thotë se diskriminimi ndaj homoseksualëve në praktikë vazhdon.

Raporti thotë se shumë raste për rikthimin e pasurive mbeten të pazgjidhura dhe ndërtimet e paligjshme mbeten një problem madhor. Në raport thuhet se gratë nuk janë të përfaqësuara në mënyrë të mjaftueshme në politikë e biznes, dhe pak parti politike respektojnë kuotat prej 30 përqind për gratë në listat e kandidatëve.

Në Parlamentin e ri janë zgjedhur vetëm 19 gra, në Kuvendin me 140 vende. Megjithatë, raporti përmend faktin se në kabinetin e ri është një numër rekord prej gjashtë grash, përfshirë ministren e parë të Mbrojtjes së vendit.

Po ashtu, thuhet se dhuna në familje është e përhapur, por shtohet gjithashtu se një ndryshim në kodin penal e ka bërë dhunën në familje një shkelje specifike të ligjit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA