Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi Protestat po përhapen edhe në qytete të tjera në perëndim të Ukrainës në prag të takimit të udhëheqësve të opozitës të Ukrainës me presidentin Viktor Janukovic, një ditë pasi u regjistuan viktimat e para gjatë protestave, që vazhdojnë prej dy muajsh.
Është arritur një armëpushim i brishtë, por Vitali Klitchko tha se ai do të udhëheqë protestuesit pro europiane “në sulm”, nëse nuk shpallet data e zgjedhjeve të parakohëshme.
“Nuk është për të fituar, fituesi është vendi im. Unë dua të jetoj në një vend europian demokratik, pa korrupsion, me pikën kryesore: të drejtat e njeriut. Aktualisht ne nuk e kemi këtë. Kjo është arsyeja se përse njerëzit dalin në rrugë dhe protestojnë….. Ishte paqësore prej dy muajsh, natë e ditë, në shi dhe borë ata kanë qëndruar, por s’mund të rrinë më. Ne u përpoqëm të ndalojmë përshkallëzimin, por e ka presidenti pushtetin për ta bërë këtë”, tha Klitchko.
Ai u kërkoi protestuesve dhe policisë të heqin dorë nga përdorimi i mëtejshëm i forcës derisa ai të flasë në mbrëmje. Tre kërkesat kryesore, vec zgjedhjeve të parakohëshme është anulimi i ligjit të ri kundër protestave dhe dorëheqja e qeverisë.
Kryeministri Mikola Azarov tha se udhëheqësit e opozitës duhet të jenë më të përulur dhe të heqin dorë nga gjuha e ultimatumeve.
Presidenti i Ukrainës i ka kërkuar kryetarit të parlamentit të zhvillojë një seancë urgjente javën e ardhshme për të diskutuar krizën. Dy aktivistë u vranë pas përleshjeve me policine në Kiev, të mërkurën dhe prokurorët konfirmuan se shkaku i vdekjes së tyre ishin plagët e marra, por kryeministri Mikola Azarov mohoi të ishin shkaktuar nga nga armë zjarri.
Ishin dy viktimat e para pas shpërthimit të protestave në fund të nëntorit pas vendimit të Janukovic për të anuluar marrëveshjen politike me BE-në.
Ndërsa trupi i pajetë i aktivistit Jurij Verbitski u gjet në periferi të Kievit, pasi ishte rrëmbyer, bashkë me një aktivist tjetër, Ihor Lutsenkon, në fillim të kësaj jave. Në trupin e tij shiheshin shenja torture.
Presidenti Janukovic i ka dhënë garanci kreut të Komisionit Europian Jose Manuel Barroso gjatë një bisede telefonike, se ai nuk do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Më herët Bashkimi Europian tha se do ta rimendojë marrëdhënien me Ukrainën nëse vazhdon të ketë shkelje sistematike të të drejtave të njeriut.
SHBA akuzoi qeverinë ukrainase se nuk është angazhuar në dialog të vërtetë dhe nuk i dha viza disa ukrainasve të lidhur me dhunën, por pa dhënë emrat e tyre. Nga ana tjetër Rusia akuzoi BE-në dhe SHBA për ndërhyrje në punët e Ukrainës.
Top Channel