Berlusconi, sërish telashe me drejtësinë

23/01/2014 15:35

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, është përfshirë sërish në telashe me drejtësinë, pak pasi u shpall fajtor për evazion fiskal në një gjyq të mëparshëm.

Ditën e enjte, Prokuroria Italiane informoi se ka nisur hetimet ndaj 77-vjeçarit, mbi bazën e dyshimeve që ai ka ushtruar presion dhe frikësuar dëshmitarët gjatë procesit të mëparshëm për shfrytëzim prostitucioni me të mitura.

Sipas akuzës, ekzistojnë prova se Berlusconi dhe avokatët e tij u takuan me dëshmitaren kryesore të këtij procesi, Karima El Mahroug, për të udhëzuar atë se çfarë duhet të thonte gjatë marrjes në pyetje në gjykatë.

E njohur ndryshe si Ruby, Karima ishte vajza që dëshmoi se kishte pasur raporte seksuale me ish-kryeministrin në moshën 17-vjeçare, por më pas tërhoqi akuzën.

Megjithatë, kjo nuk mjafton për të shpëtuar Berlusconin, i cili rezultoi fajtor në gjyqin e shkallës së parë, zhvilluar gjatë 2013-s.

Çështja e frikësimit të dëshmitarëve përshin në total 45 të pandehur, përfshi edhe dy anëtarët kryesore të ekipit juridik të Berlusconit, avokatët Niccolo Ghedini dhe Piero Longo.

Për shkak të dënimit të tij të formës së prerë për evazion fiskal, Berlusconi humbi imunitetin dhe vendin e tij në Parlament e Senat gjatë 2013-s, por vazhdon të mbetet një prej figurave kyçe politike në Itali, si lideri i “Forza Italia”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA