Protesta dhe festa në botë pas sulmeve ndaj Iranit, 23 të vrarë në Pakistan, përplasje pranë konsullatës amerikane Më shumë se gjysmë miliard dollarë në formë kesh, asete apo lëndë narkotike u kapën gjatë një super-operacioni kundër pastrimit të parave në Australi.
Blici me emrin e koduar “Task Force Eligo”, shkatërroi 18 grupe kriminale dhe çoi në arrestimin e qindra personave të përfshirë në afera të paligjshme. Suksesi i tij i detyrohet edhe bashkëpunimit të zyrtarëve vendas me agjencitë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit.
“Ky është një shembull i mirë i goditjes që mund t’i jepet krimit të organizuar në Australi. Çdo formë e tij në fund çon tek paratë, pavarësisht nga lloji i krimit që kryhet”, deklaroi Michael Keenan, minister i Drejtësisë.
Nga 580 milionë dollarët australianë (512 milionë USD) të përfunduar në duart e policisë, 23 milionë ishin kesh. Të gjitha këto para, siç sqarojnë zyrtarët e fushës, kanë qenë të destinuara për aktivitete kriminale si trafiku i drogës.
Qendra australiane e Analizës dhe Raportimit të Transaksioneve tërhoqi vëmendjen tek kërcënimi global që paraqet sipas saj, pastrimi i parave.
“Kriminelët nuk njohin kufij. E vetmja përgjigje që mund t’i japim pastrimit të parave është bashkëpunimi, si në nivel kombëtar, ashtu edhe me kolegët përtej detit, sepse paratë e krimit do të vërshojnë dhe detyra jonë është t’i vëmë fre”, deklaroi John Schmidt, drejtor i AUSTRAC.
Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një shtetas amerikan 58 vjeç, i cili nuk ishte në gjendje të sqaronte origjinën e 5 milionë dollarëve të vendosur në 7 valixhe që u gjendën fundjavën e kaluar në një apartament të Sidneit, ku ai po qëndronte.

Zyrtarët vendas thonë se ashpërsimi i kontrolleve ua ka vështirësuar grupeve të krimit transferimin e parave në mënyrë elektronike, duke i shtyrë t’i mbajnë paratë kesh.
Top Channel