Rusi, “gjueti” kombëtare për gruan kamikaze

22/01/2014 15:20

Policia dhe shërbimet ruse të sigurisë janë vënë në ndjekje të një gruaje, e cila dyshohet e po organizon një sulm vetvrasës me bombë në Lojrat Olimpike të Sochit.

Autoritetet kanë vendosur posterat e saj në të gjithë hotelet që do të presin turistë në Sochi, ndërsa kanë transmetuar imazhin e të shumëkërkuarës në televizione, duke kërkuar informacion kundrejt shpërblimit nga kushdo që mund të ketë një të tillë për vendndodhjen e saj.

23-vjeçarja Ruzanna Ibragimova, nga Dagestani, besohet se është e veja e një militanti islamik të vrarë në Kaukazin Verior.

Besohet se Ibragimova ka arritur të hyjë në Sochi më parë gjatë muajit, duke tejkaluar sigurinë e rreptë që kanë ngritur autoritetet brenda një perimetri sigurie me qendër Sochit.

Të paktën dy kamikaze të tjera potenciale janë në arrati, ndërsa policia ruse ka shndërruar në përparësi të punës së saj kërkimin e tyre në të gjithë vendin.

Më shumë se 30 mijë trupa policore dhe të shërbimeve të tjera të sigurisë janë zhvendosur në Sochi për të garantuar sigurinë e Lojrave që nisin në muajin Shkurt.

Presidenti Vladimir Putin është koordinatori drejtëpërdrejtë i këtyre aksioneve, duke inspektuar personalisht punën e policisë.

Aktualisht, Moska përballet me informacione të shumta për rigjallërim të aktiviteteve terroriste në prag të Lojrave, ndërsa në fund të Dhjetorit, 34 persona humbën jetën në një seri shpërthimesh që shënjestruan mjetet e transportit të qytetit të madh të Vollgogradit.

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, telefonoi personalisht homologun Putin ditën e martë, duke i ofruar të gjithë asistencën e mundshme amerikane për të siguruar mbarëvajtjen e Lojrave Olimpike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA