Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi Të paktën tre persona raportohen të vdekur dhe dhjetra të tjerë të lënduar nga përleshjet më të freskëta mes policisë dhe protestuesve në rrugët dhe sheshet e Kievit.
Forcat e sigurisë ndërhynë për me forcë për të hequr barrikadat e ngritura nga protestuesit në rrugët e qytetit ukrainas që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur mijëra persona dolën në shesh për të kundërshtuar refuzimin e qeverisë vendase për të nënshkruar marrëveshjen e tregtisë me Bashkimin Europian në favor të Moskës.
Presidenti vendas, Viktor Janukovic pranoi të zhvillojë një takim me tre aktorët kryesorë opozitarë në vend, në përpjekje për t’i dhënë fund dhunës që është përshkallëzuar orët e fundit në vend. Lajmi është konfirmuar nga Arseni Jatseniuk, ish-ministër i Ekonomisë.
Kryeministri Mykola Azarav paralajmëroi një ditë më parë se policia do të përdorë forcën për të shpërndarë protestat. Deklarata e tij u bë pak orë pas miratimit në parlament të një ligji anti-protestash, i kundërshtuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara si anti-demokratik.
Rusia nga ana e saj akuzoi perëndimin se nëpërmjet diplomatëve të tij në Ukrainë po mbështet hapur protestat duke rrezikuar futjen e vendit në kaos.
Nëntorin e vitit të kaluar, presidenti ukrainas, Viktor Janukovic refuzoi të firmosë marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik me Bashkimin Europian me argumentin se ekonomia e vendit të tij nuk ishte konkuruese mjaftueshëm me ekonomitë e unionit.
Por analistët ndërkombëtarë dhe opozita vendase thanë se shkak i këtij vendimi ishte presioni i Moskës për të futur në influencë dhe në rrethin ekonomik të saj Ukrainën. Pak ditë më vonë, Janukovic vizitoi Moskën ku së bashku me homologun Putin deklaruan firmosjen e një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, sidomos në fushën e gazit.
Ukraina ka një varësi të theksuar nga gazi rus dhe shërben njëkohësisht si vend tranzitor për kalimin e tij në pjesën perëndimore të Europës.
Ukrainë, protestuesit sulmojnë Klitschko-n
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda në boks, Vitali Klitschko, tashmë kryetar i Partisë “Udar” (Grushti), u sulmua nga protestuesit në rrugët e Kievit në përpjekje për t’i qetësuar ata.
Klitschko, partia e të cilit ndodhet në opozitë, por ndjek një linjë të moderuar sa i përket protestave kundër qeverisë, u vendos në mes të një kordoni policor dhe protestuesve duke u bërë thirrje këtyre të fundit që të qetësohen dhe të vazhdojnë protestën paqësisht.

Por turma nisi të thërrasë ‘tradhëtar’ dhe brohoriste ‘mjaft me llafe, duhen aksione’. Në këtë moment ish-kampioni sulmohet nga një grup prej tyre, ndërsa të tjerë ndërhynë për ta mbrojtur.
Top Channel