Itali, operacion madhor kundër mafias

22/01/2014 00:00

Policia italiane ndërmori një operacion masiv në orët e para të së mërkurës ku në pranga përfunduan 90 persona dhe u sekuestruan rreth 250 milion euro të mira materiale.

Operacioni kishte në shënjestër një klan të organizatës mafioze “Camorra” që vepronte në rajonin e Kampanjas, Lacios dhe Toskanës. Njëri prej të ndaluarve u vetëvra pak minuta pasi u dërgua në zyrat e policisë në Romë, duke u hedhur nga dritarja.

Hetimet drejtohen nga Prokuroria Kombëtare Antimafia në Itali. Sipas grupit të hetuesve që lëshuan urdhërat e arrestit për 90 personat, klani i “Camorras” që vepronte në këto tre rajone të Italisë dhe që njihej ndryshe si “Klani Contini” ishte një degë homogjene e organizatës mafioze napolitane dhe zotëronte mbi 70 përqind të tregut të drogës dhe prostitucionit në këto rajone.

Arrestimet pasuan hetimet disa-vjeçare të prokurorëve italianë dhe goditja e radhës ndaj organizatave mafioze. Muaj më parë, një operacion i ngjashëm u përqendrua në Kalabri dhe Siçili.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB