Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Qeveria siriane do të kërkojë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar për “luftën e saj ndaj terrorizmit”, gjatë bisedimeve për paqe që priten të zhvillohen në Zvicër, fillimisht në Montreux, bëjnë të ditur burime nga Damasku për Al Jazeera.
Ministri i Jashtëm, Walid al-Muallem, në një fjalim që pritet ta japë gjatë konferencës së paqes në Gjenevë, do të zotohet gjithashtu për t’i dhënë fund vuajtjeve të popullit sirian, duke pranuar hapjen e zonave të pushtuara për ndihma humanitare, si dhe një armëpushim në Aleppo, thanë burimet.
Bisedimet mes përfaqësuesve të qeverisë së presidentit Bashar al-Assad dhe opozitës së mbështetur nga Perëndimi, do të nisin këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që palët ndërluftuese do të hyjnë në negociata të drejtpërdrejta, që prej fillimit të konfliktit në Siri, rreth 3 vjet më parë.
Delegacioni 15-anëtarësh i qeverisë, i kryesuar nga Muallem, nuk është i autorizuar të pranojë ndonjë marrëveshje pa i referuar më herët Assad-it, diçka që ministri i Jashtëm do ta thotë gjatë konferencës së ashtuquajtur “Gjeneva II”.
Ministri i Jashtëm do të theksojë gjithashtu se negociatat e mundshme në të ardhmen do të duhet të mbahen në territorin sirian, dhe se qeveria nuk do të pranojë të vendosë një afat kohor për negociatat.
Më tej, ai do të ripërsërisë linjën e qeverisë në lidhje me konspiracionin ndërkombëtar që po përballet vendi, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar të bashkëpunojë me Damaskun në luftën ndaj “terroristëve” që operojnë në vend.
Regjimi sirian u referohet si “terroristë” grupeve të armatosura opozitare. Në Gjenevë, opozita do të përfaqësohet nga një delegacion 15-anëtarësh, përfshi edhe përfaqësues nga opozita e armatosur.
Duke komentuar mbi përmbajtjen e raportuar të fjalimit të planifikuar të Muallem, Haitham al-Maleh, një anëtar i delegacionit opozitar, tha: “Nëse ata duan të luftojnë terrorizmin, atëherë të luftojnë vetveten. Regjimi kriminal është ai që ka vrarë më shumë se 100 mijë civilë dhe ka shkatërruar shtëpitë. Forcat e regjimit janë ata që zotërojnë tanke, avionë luftarakë dhe fuçi me eksplozivë”, tha ai për Al Jazeera, nga Gjeneva.
Sa i përket afatit kohor të negociatave, ai shtoi: “Duam një afat të përcaktuar kohor për t’u vendosur, në lidhje me transferimin e pushtetit. Negociatat nuk mund të vazhdojnë pafundësisht”.
Top Channel