Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Policia italiane bëri publike akuzat e ngritura kundër një kleriku të lartë të Vatikanit, i cili akuzohet për pastrim parash në shifra që arrijnë në milion euro.
Imzot Nunzio Scarano, që ndodhet në arrest shtëpiak për një tjetër akuzë, dyshohet se nëpërmjet rolit të tij në Bankën e Vatikanit ka pastruar paratë e pista në shifra që shkojnë deri në 20 milion euro.
Mes të ndaluarve është edhe një ish-llogaritar i Selisë së Shenjtë dhe dy persona të tjerë që kanë patur dijeni për skemën e pastrimit të parave, njoftoi policia italiane.
Vitin e kaluar, Papa Françesku ngriti një komision të posaçëm brenda Selisë së Shenjtë me objektiv hetimin e aktiviteteve të Bankës së Vatikanit, e vendosur shpesh në qendër të skandaleve.
Historikisht Vatikani ka kundërshtuar të drejtën e policisë italiane për të hetuar klerikët apo pjesëtarët e tjerë të administratës së tij duke u mbrojtur me privilegjet që u njeh imuniteti diplomatik.
Por që prej ardhjes në krye të Selisë së Shenjtë të Papa Françeskut ka nisur një bashkëpunim me autoritetet italiane që çoi në arrestimin e Imzot Scarano-s verën e vitit të kaluar.
Të martën policia bllokoi 6.5 milion euro në llogarinë bankare të Scarano-s si dhe disa pasuri të patundëshme të tij, përfshirë këtu edhe një apartament superluksoz në jug të Salernos.
Banka e Vatikanit, njohur zyrtarisht si Instituti për Punët e Fesë, është njëri prej institucioneve financiare me fshehtësinë më të madhe në botë. Ka vetëm 114 punonjës që menaxhojnë asete që kapin vlerën e 5.4 miliard eurove.
Top Channel