Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi Shtetet e Bashkuara i kërkuan OKB-së që të anulojë ftesën drejtuar Iranit për të marrë pjesë në bisedimet e paqes për Sirinë që nisin në Gjenevë të mërkurën.
Uashingtoni, që prej 3 dekadash nuk ka asnjë kontakt diplomatik me Teheranin tha se Irani nuk mbështet objektivin kryesor të këtyre bisedimeve që është krijimi i një qeveri të tranzicionit.
Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbështetet edhe nga vendet e tjera perëndimore, ndërkohë që Koalicioni Kombëtar Sirian deklaroi bojkotimin e bisedimeve nëse në to merr pjesë edhe Irani, një ndër mbështetësit më të fortë të regjimit të Bashar al-Assad, jo vetëm me logjistikë luftarake, por edhe me trupa.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon e ftoi Iranin të marrë pjesë në bisedimet paraprake të paqes për Sirinë, ofertë të cilës Republika Islamike i është përgjigjur pozitivisht.
Numri një i OKB-së sqaroi se ka marrë garanci që Teherani do të luajë një rol pozitiv në përpjekjet për krijimin e një qeverie tranzicioni dhe fundin e gjakderdhjes në vendin e munduar prej konfliktit tashmë 3-vjeçar.
“Irani i kupton fare mirë parimet bazë të kësaj konference. Qëllimi kryesor i takimit numër dy në Gjenevë do të jetë krijimi i një organizmi të përkohshëm qeveritar me fuqi të plota dhe me pëlqimin e të dyja palëve në konflikt. Ministri i Jashtëm iranian Zarif me siguroi në mënyrë të përsëritur se po të ftohej në këtë takim, Irani do të luajë një rol shumë konstruktiv”, tha Ban Ki Moon.
Konferenca e paqes për Sirinë përgatitet prej më shumë se një viti dhe po zhytet në pështjellim që përpara se të fillojë. Lëvizja e OKB-së i zuri amerikanët në befasi. ‘Mbetemi thellësisht të shqetësuar nga kontributet e Iranit për fushatën brutale të regjimit të Assad-it kundër njerëzve të vet, e cila ka çuar në rritjen e ekstremizmit dhe paqendrueshmërise në rajon. Nëse Irani nuk e pranon hapur dhe publikisht komunikatën e lëshuar në Gjenevë, atëherë ftesa duhet anuluar”, thuhet në një deklaratë të Departamentit te Shtetit.
Bisedimet fillestare do të çelen në Montreux të mërkurën e do të vazhdojnë në Gjenevë dy ditë më vonë.
Top Channel