Komuniteti pakicë serb në Kosovë pritet t’i gëzojë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës të paktën edhe për një mandat zgjedhor. Me gjithë kundërshtimet e opozitës, kjo çështje duket se tashmë është punë e kryer.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se për këtë nuk do të ndryshohet Kushtetuta, por liderët partiakë do të arrijnë një marrëveshje apo vendim politik.

“Unë konsideroj se çështja e vendeve të rezervuara nuk duhet të jetë pjesë e Kushtetutës. Kushtetuta ka disa dispozita kalimtare dhe kjo çështje përfundon me këtë kushtetutë. Duke qenë se bëhet fjalë vetëm për një mandat, nuk ekziston asnjë arsye që për këtë çështje të ndryshohet Kushtetuta, apo që ajo të futet brenda saj. Partitë politike duhet ta mendojnë dhe të gjejnë një zgjidhje”, deklaroi Krasniqi.

Kundër çdo versioni të vazhdimit të vendeve të rezervuara është Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se edhe një vendim politik i liderëve do të ishte anti-kushtetutes.

“Edhe një herë po e them, LDK-ja nuk pranon që të ketë vende të rezervuara, ose që ato të vazhdojnë edhe për një, dy, ose tre mandate. Ne e kemi thënë se nuk ka asnjë arsye për të vijuar me një mandat më tepër. Për ne ky është qëndrimi dhe këtë qëndrim nuk do ta ndryshojmë. Nuk do të votojmë diçka të tillë dhe nuk do të pranojmë që të ndryshohet Kushtetuta. LDK-ja nuk do të pranojë”, deklaroi Beqiri.

I tërë procesi i reformës zgjedhore, përfshirë edhe vendet e rezervuara për serbët është i ndërlidhur me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Është e përcaktuar që zgjedhjet të mbahen gjashtë muaj pas miratimit të reformës zgjedhore.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi hodhi poshtë idetë se zgjedhjet mund të mbahen në qershor, për çka ka pasur diskutime, sepse sipas tij, ende ka punë në përfundimin e reformës. Këto komente u bënë pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit e cila vendosi që seanca e radhës të mbahet më 23 janar.

Top Channel