Ukrainë, nënshkruhen ligjet “antiprotesta”

18/01/2014 00:00

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, ka nënshkruar një set ligjesh të ashpra kundër protestave publike, duke i kthyer ato në ligje, pavarësisht një proteste të qeverive perëndimore, që i kanë konsideruar ato si anti-demokratike.

Catherine Ashton, shefja për Politikën e Jashtme në BE, tha gjatë së premtes se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga legjislacioni i ri dhe bëri thirrje ndaj Yanukovych për t’i rishikuar ato. Disa orë më vonë, faqja zyrtare e presidentit të Ukrainës njoftoi se ligjet ishin nënshkruar nga Yanukovych.

Steffen Seibert, një zëdhënës i Kancelares gjermane, Angela Merkel, tha për reporterët në Berlin se vendimi “do të ketë, në mënyrë të paevitueshme, pasoja në bashkëpunimin me Bashkimin Europian”. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Në deklaratën e lëshuar gjatë orëve të vona të së enjtes, Departamenti amerikan i Shtetit i kishte quajtur ligjet “anti-demokratike” dhe thanë se binin ndesh me aspiratën e Ukrainës për një të ardhme europiane.

Legjislacioni i ri paraqet ndëshkime deri në 5 vjet burgim për njerëzit që ngrejën bllokada pranë ndërtesave publike, si dhe arrestimin e mundshëm të protestuesve, të cilët mbajnë maska apo helmeta.

Carl Bildt, ministri i Jashtëm suedez, reagoi përmes Twitter-it, të premten, duke thënë se ligjet e reja çojnë në një situatë, ku “nuk mund të ketë më marrëdhënie të zakonshme me Kievin”.

Opozita ka rreth 2 muaj që proteston në qendër të Kievit, në kundërpërgjigje të refuzimit të Yanukovych për nënshkrimin e një pakti të rëndësishëm me BE, duke firmosur një partneritet strategjik me fqinjin e fuqishëm, Rusinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB