SHBA, reforma në programin e përgjimeve

17/01/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama pritet të bëjë publike ndryshimet në programin e spiunimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, e vendosur në qendër të kritikave të skandalit të përgjimeve pas publikimit të dokumenteve sekrete nga ish-agjenti, Eduard Snouden.

Synimi i presidentit është që të rikthejë besimin e publikut tek agjencitë e inteligjencës, të rënë pas skandalit. Mes ndryshimeve të propozuar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet të jetë edhe ajo e vendosjes së një avokati publik në cëshjet gjyqësore me dyer të mbyllura që miratojnë aksionet e agjencive të inteligjencës, përfshirë këtu edhe përgjimet.

Propozimet e tij mbërrijnë në një kohë kur në media qarkullojnë të tjera të dhëna të siguruara nga dokumentet e Snouden, ku thuhet se NSA përgjonte apo strehonte në arkivat e saj të paktën 200 milion mesazhe me tekst në ditë në të gjithë botën.

“The Guardian” shkruan se për përgjimin e këtyre mesazheve përdorej një program që siguronte për agjencinë vendndodhjen e personit, kontaktet dhe të dhëna të tjera financiare të tij.

NSA mbrojti programin e saj duke deklaruar për BBC se të gjitha veprimet janë kryer brenda ligjeve amerikane dhe se pretendimet përgjimet e mesazhve ishin të paligjshme, janë të pavërteta.

Raporti është i fundit nga seria e skandalit të përgjimeve të agjencisë amerikane, që kulmoi me publikimin e dokumenteve të Snouden ku thuhej se pre e përgjimeve kishte rënë edhe vetë kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Në pretendimet e tij, Snouden thotë se përgjimet kishin devijuar nga misioni i tyre fillestar, që ishte lufta kundër terrorizmit dhe ishin përqendruar në grumbullimin e të dhënave dhe lëvizjeve ekonomike të shteteve apo korporatave të fuqishme.

Eduard Snouden vazhdon të qëndrojë në Rusi ku që prej verës së vitit të kaluar ka fituar statusin e azilantit të përkohëshëm. Ai kërkohet nga Shtetet e Bashkuara nën akuzën e zbulimit të dokumenteve sekrete dhe dëmtimit të interesave amerikane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB