Presidenti i Francës, Francois Hollande, vizitoi pnë spital Zonjën e Parë, Valerie Trierweiler.
Vizita e së premtes është e para që kur u publikuan në shtyp imazhet e tradhëtisë së tij të supozuar me aktoren Julie Gayet.
Trierweiler u shtrua në spital, në dukje si rrjedhojë e traumës së pësuar nga mësimi i historisë nëpërmjet faqeve të revistës që publikoi edhe një seri fotosh inkriminuese.
Përveç fotove, revista “Closer” raportonte se marrëdhënia e fshehtë e Hollande me Gayet kishte rreth dy vjet që kishte nisur, që gjatë fushatës zgjedhore të 2012-s.
Ditën e enjte, Gayet vendosi që të padiste revistën për shkelje të të drejtës së saj të jetës private, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 50 mijë eurosh dhe 4 mijë euro shtesë për të mbuluar kostot gjyqësore.
Nëse Gayet do të fitojë çështjen, revista do të jetë e detyruar të publikojë vendimin gjyqësor në koopertinën e saj.
Presidenti Hollande, i cili tregoi një indiferencë të theksuar ndaj shëndetit të partneres në ditët e para pas publikimit të historisë, nuk ka komentuar mbi skandalin mediatik të përqendruar rreth tij, duke pretenduar se jeta private duhet të mbetet e tillë edhe për një kryetar shteti.
Ai gjithashtu kishte kërcënuar me paditjen e revistës, por duket se ndikimi i këshilltarëve të tij e bindi që të tërhiqej nga kjo nismë.
Hollande është baba i katër fëmijëve, nga partnerja e tij e mëparshme dhe kandidatja humbëse për Presidente e Francës përballë Sarkozy në fushatën e 2007-s, Segolene Royal.
Top Channel