Studentë të diplomuar në universitetet private në Shqipëri kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Prishtinë, për të kërkuar njohjen e diplomave të tyre.

Protestuesit i priti në takim ministri i Arsimit, Ramë Buja, i cili u premtoi se deri në mes të shkurtit do të marrë një vendim lidhur me njohjen ose jo. Buja tha se do të udhëtojë edhe në Shqipëri që të takohet me zyrtarët përgjegjës dhe që të gjendet një zgjidhje.

“Këto janë çështje që ju i dini pasi është folur shumë dhe janë dëshmuar me fakte problemet që kanë pasur institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Këtu është dilema për mosnjohje, por unë besoj se në vizitën që do të zhvilloj në pjesën e parë të shkurtit në Tiranë do t’i sqarojmë këto gjëra. Ne do të kërkojmë listën e institucioneve të arsimit të lartë që janë të liçencuara në Shqipëri dhe pastaj do të ndërmarrim hapat e tjerë”, deklaroi Buja.

Protestuesit janë të diplomuar të niveleve të ndryshme studimi dhe thonë se me të tilla diploma janë mijëra persona.
Agron Bytyçi, anëtar i këshillit organizativ të protestës, tha se nuk ka ndonjë arsye të qartë për refuzimin e këtyre kualifikimeve nga ana e MASHT-it.

“Tani nuk thonë më arsye zyrtare. Tani, në përgjigjet paraprake që na kanë kthyer thonë vetëm se nuk janë anëtarë të ENKAS, edhe pse Kosova është anëtare bashkë me Shqipërinë”, deklaroi Bytyçi.

Top Channel