
Vitet që kalojnë nuk kanë zbehur aspak dhimbjen e shumë familjarëve të cilët 15 vite më parë humbën të dashurit e tyre në njërën nga masakrat më të tmerrshme të kryer nga forcat serbe.
Është kjo Masakra e Reçakut në të cilën me 15 janar 1999 u ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre kishte burra, gra, pleq e fëmijë, pikërisht sic do të duhej të tregonin këto pllaka përkujtimore të cilat fatkeqësisht duken në shkatërrim e sipër. Pakkush mund të lexojë emrat e të vrarëve apo vitin e lindjes pasi shkronjat e arta vec kanë rënë dhe fotografitë rrezikojnë të fshihen nga mungesa e mirëmbajtjes.
Një situatë e tillë edhe mund të ishte shqetësuese për familjarët e të vrarëve sikur ata të mos kishin halle të tjera, luftën për mbijetesë në vendin e çliruar. Kjo grua e cila humbi bashkëshortin dhe mbeti vetëm me gjashtë fëmijë thotë se nuk gëzon asnjë mbështetje nga shteti i Kosovës. Arsyetimi për këtë është se bashkëshorti i saj Njazi Zymeri “nuk është Dëshmor i Kombit pasi nuk ka rënë me pushkë në dorë”.
“Me 6 fëmijë më la. Vec për hatër të fëmijëve dhe shteti nuk na ndihmon. Kam 6 fëmijë dhe nuk jemi familje dëshmorësh. As të drejta shkollimi dhe as të drejta të tjera nuk na japin”, thotë Naile Zymeri.
Për homazh ndonëse shumë shkurt në kompleksin memorial të Recakut qëndroi edhe Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Trëndafilët e bardhë me shkronjën V të ngjitur mbi varreza u vunë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe aktivistë të tjerë.
Kryeministri Hashim Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook kujtoi këtë ngjarje si një akt çnjerëzor që tronditi ndjenjat e botës demokratike në shkallë planetare. “Falë shpejtësisë së informimit dhe ndjeshmërisë politike të botës demokratike, Reçaku u bë pikë kthese e zhvillimeve të vrullshme diplomatike, përshpejtimit për organizimin e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë”, shkruan kryeministri i Kosovës.
Top Channel