Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, u kërkoi kompanive të huaja, që të punësojnë sa më shumë punëtorë shqiptarë, duke respektuar raportin e punësimit “1 shtetas i huaj dhe 6 shtetas shqiptarë”.
Gjatë një vizite në hidrocentralin e Rrëshenit, që po ndërtohet nga kompania turke “AYEN AS ENERGY”, ministri Veliaj tha se shteti do të krijojë lehtësirat e duhura për investitorët e huaj, por do të kërkojë respektimin e ligjit për punësimin.
Për të garantuar punësimin e atyre që aplikojnë për punë, Veliaj njoftoi çeljen e zyrave të punës, duke nisur nga zyra e parë e punës në Tiranë.
Ministri Veliaj tha se këto zyra do të përdoren nga bizneset e huaja, si nxitëse për të punësuar shtetas shqiptarë, çka sipas tij është mënyra më e mirë për të larguar njerëzit nga projektet e ndihmës ekonomike.
Faza ndërtimore e projektit të hidrocentralit ka filluar në Nëntor të vitit 2012 dhe aty janë punësuar mbi 750 punëtorë shqiptarë, në ndërtim dhe logjistikë.
Top Channel