Diskutimet mbi një projekt-pilot, për zhvillimin e sektorit të peshkimit, ishin në qendër të takimit, që zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, dhe deputetja e Lezhës, Monika Kryemadhi, patën me peshkatarë në portin e Shëngjinit.

Projekti synon rregullimin e portit, krijimin e një markate peshku, si dhe përmirësimin e kushteve të punës për peshkatarët.

“Për herë të parë, ne kemi futur sektorin e peshkimit në projektet e Bashkimit Europian për t’u mbështetur me fonde grante. Fillimisht, projekti do të konsistojë në rikonstruksionin e infrastrukturës së këtij porti, ndërtimin e një markate peshku, që do të mundësonte, në radhë të parë, garantimin e sigurisë ushqimore, së dyti, do të garantonte shitjen me vlerën maksimale të peshkut, dhe përfitimin maksimal për peshkatarët, dhe së treti formalizimin e këtij sektori”, tha Alban Zusi, zv/ministër i Bujqësisë.

Për deputeten Kryemadhi, hapja e markatës së peshkut në Shëngjin, si pjesë e këtij projekti, do të thotë hapje e një numri të konsiderueshëm vendesh pune.

“Po të shikojmë edhe sot në të gjithë vijën e Shëngjinit, kemi fabrika të konsiderueshme, të cilat bëjnë përpunimin e peshkut, por që lënda e parë e tyre vjen në shumicën e rasteve e importuar nga jashtë, kur këtë gjë ne mund ta ofrojmë me prodhimin vendas. Pra, për të kthyer peshkatarët tanë në punë, gjë që krijon jo vetëm mundësinë e punësimit, por edhe mundësinë e krijimit të një ekonomie të qëndrueshme”, u shpreh zonja Monika Kryemadhi, deputete e LSI.

Peshkatarët ngritën shqetësimin e çmimit të naftës, për të cilin zv/ministri dhe deputetja Kryemadhi thanë se po punohet për të bërë të mundur subvencionimin e naftës, çka do të lehtësonte punën e peshkatarëve.

Mbështetje sektorit të pëshkimit

Peshkimi është një nga sektorët e
ekonomisë shqiptare që po kalon një periudhë të vështir financiare.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti gjatë një takimi me përfaqësues të industrisë së peshkimit në Shqipëri, premtoi investime në këtë fushë, ndër të cilat theksoi se është e nevojshme rinovimi dhe ndërhyrja tek flota aktuale e peshkimit.

Ndër nismat e tjera që qeveria do të stimulojë gjatë viteve në vazhdim do të jetë shfrytëzimi i resurseve natyrore në këtë fushë të cilat nuk shfrytëzohen prej vitesh për shkak të mungesës së investimeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta