Zëvendësministri libian i Industrisë është qëlluar për vdekje, gjatë një vizite në vendin e tij të lindjes, Sirtë.
Persona të panjohur – thonë mediat vendase, – zbrazën një breshëri plumbash mbi Hassan al-Droui, në kohën kur zyrtari i lartë gjendej pranë një tregu, në qendër të qytetit.
Kjo është vrasja e parë e një anëtari të qeverisë së tranzicionit në Libi. Që prej përmbysjes së Muamar Gadafit, Tetorin e vitit 2011, vendi është përfshirë nga kaosi, mungesa e ligjit dhe e rendit.
Arsyet e ekzekutimit mbeten të paqarta, por shumica e vrasjeve të kësaj natyre, sidomos në qytetet lindore të Bengazit dhe Dernas, kanë qenë vepër e grupeve ekstremiste islamike, të cilat janë mjaft aktive në këto zona.
Shpërthim në qendër të Bagdadit
Sulmi në një stacion autobusi, 9 persona humbën jetën
Mëngjesi i së dielës solli një tjetër shpërthim në Bagdad. Sulmi ndodhi në një stacion autobusi të kryeqytetit irakian dhe shkaktoi 9 të vdekur. Po në zonën alavite, një kamikaz hodhi veten në erë të enjten, duke vrarë 23 vetë.
Tensionet politike dhe dhuna janë përshkallëzuar sërish në mbarë vendin. Ekspertët bëjnë përgjegjëse shpërndarjen e pakënaqshme të pushtetit, për paqëndrueshmërinë e situatës, e cila sa vjen e thellohet.
Edhe pse tri grupet kryesore fetare dhe etnike, shiitët, sunitët e kurdët, kanë rënë dakord për një sistem të përfaqësimit politik, që reflekton edhe në përbërjen e qeverisë, sunitët ankohen se qeveria e Nuri al-Malikit i ka margjinalizuar tërësisht.
Pagëzimi i 32 foshnjave
Ndryshe nga paraardhësit, Papa Françesku shmang fjalimet e gjata
Papa Françesku pagëzoi 32 foshnje të porsalindura në Kapelën Sistine.
Por, ndryshe nga parardhësit e tij, që zakonisht mbanin fjalime të gjata e të ngarkuara teologjike përpara eventit të përvitshëm, Papa argjentinas bëri një predikim të shkurtër e të përmbledhur prej rreth 300 fjalësh, i cili përqendrohej te fëmijët.
Ata janë pjesë e zinxhirit të besimit, u shpreh Ati i Shenjtë, i cili u kujtoi prindërve se e kanë për detyrë t’ia përcjellin fenë fëmijëve të tyre.
Besimi është gjëja më e bukur, që mund t’i kaloni brezit tjetër, – u shpreh ai, – duke shtuar se kori i kishës mund të dëgjohet mirë, por jo aq sa kori i fëmijëve, kur bëjnë zhurmë.
Top Channel