Rrjedhje kimike në West Virginia

11/01/2014 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në West Virginia, pasi një rrjedhje kimike detyroi autoritetet të mbyllin shkolla dhe biznese, ndërsa 300 mijë persona u këshilluan të mos pinë ujë nga rubineti.

Lënda kimike, që përdoret në industrinë e qymyrgurit, u derdh në Lumin Elk, në kryeqendrën e Carlestonit.

Autoritetet e West Virginia-s këshilluan banorët të mos pinë ujë, të mos lahen, të mos gatuajnë apo të lajnë rroba, me ujin e rubinetit. Ndërkohë, nisën përpjekjet për të shpërndarë shishet e mbushura me ujë të pijshëm.

Prokurori i Përgjithshëm në këtë zonë tha se autoritetet federale nisën hetimet për të zbuluar shkakun e rrjedhjes kimike. Bashkiaku i Carlestonit, Deni Xhons, tha, gjatë një konference për shtyp, të premten, se “rrjedhja ishte shokuese për publikun dhe për të gjithë njerëzit, që jetojnë në qytetet përreth”.

Kompania “Fridom Indastriz”, përmes një deklarate, shpjegoi se metanoli Metilciklohekzan mund të jetë i dëmshëm nëse gëlltitet dhe mund të shkaktojë irritim të lëkurës dhe të syve.

Rrjedhja është e para që u zbulua, pasi Departamenti i Mbrojtjes së Mjedisit mori raportime për një erë të rëndë në lumin Elk. Konteineri, nga i cili u derdh lënda kimike, përmbante 182 mijë litra, ndërsa sipas një zyrtari të mjedisit “jo më shumë se 18 mijë litra janë derdhur në lumë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB