Gates kritikon taktikat afgane të Obamës

08/01/2014 00:00

Ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates, ka shkruar një libër, ku kritikon ashpër reagimin e presidentit Barack Obama në lidhje me luftën në Afganistan.

“Në detyrë: Kujtimet e Sekretarit të Luftës”, është titulli i librit të tij, ku Gates thotë se presidenti ishte skeptik në lidhje me suksesin e strategjisë afgane të administratës së tij.

“Nuk e kam vënë kurrë në dyshim mbështetjen e tij për ushtarët, por vetëm mbështetjen e tij për misionin e tyre”, shkruan Gates, i cili ka qenë shef i Pentagonit nën dy presidenca, atë të George Bush dhe presidentit Obama.

Ai ishte i pari kryetar i Pentagonit, që kishte shërbyer për presidentë të partive të ndryshme, përpara se të largohej nga posti i tij politik në vitin 2011.

Edhe pse e përshkruan Obamën si “një person me integritet personal”, i cili ka qenë i drejtë në vendimet e tij lidhur me Afganistanin, ai thotë se presidenti ishte i shqetësuar ndaj luftrave në Irak dhe Afganistan, të cilat i trashëgoi nga administrata e Bush-it.

Ai tha gjithashtu se Obama ishte mosbesues ndaj ushtrisë, që i kishte ofruar atij disa opsione.

Gates shkruan në kujtimet e tij se, në Mars të vitit 2011 Obama nuk kishte besim ndaj gjeneral David Petraeus, komandant i ushtrisë amerikane në Afganistan në vitet 2010-11, dhe se nuk mund të mbështeste presidentin afgan, Hamid Karzai.

Presidenti “nuk e konsideronte luftën si diçka të tijën”, shkruan Gates në lidhje me një takim të Marsit 2011 në Shtëpinë e Bardhë. “Për të, duhej bërë gjithçka për të dalë nga to”.

“The Washington Post” bën të ditur se autobiografia është “në kundërshtim me sjelljen e tij të ndrydhur dhe të pandryshueshme publike, gjatë kohës që ushtronte detyrën e shefit të Pentagonit”, dhe se Gates “godet shpesh me një ton të ashpër, në kujtimet e tij”.

Në libër, ish-Sekretari i Mbrojtjes shpreh frustrimin e tij ndaj “natyrës së kontrolluar” të Shtëpisë së Bardhë, të drejtuar nga Obama, që sipas tij ndërhynte shpesh në çështjet e Pentagonit, edhe pse ndihmësve civilë u mungonin njohuritë mbi operacionet ushtarake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA