Hetimet për C4 te Kryeministria

29/12/2013 19:35

Zbulimi i autorëve, që instaluan gati 200 gramë C4 në mjetin e Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, varen nga një gjurmë gishti, e fiksuar përgjatë kqyrjes së vendngjarjes në letrën natriban, të përdorur për mbështjelljen e eksplozivit, së bashku me aparatin celular.

Ndërsa Krimet e Rënda i kanë fokusuar hetimet te pista e vendosjes së C4 për shkak të detyrës së Prefektit në qytetin bregdetar, një burim nga laboratori i kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme konfirmoi se grupi i hetimit është në kërkim të shtetasit, të cilit i përket gjurma papilare.

Deri më tani, nga procesi i krahasimit të gjurmëve, rezulton se kjo shenjë gishti nuk përkon me asnjë nga shtetasit e regjistruar në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, si persona që u janë marrë shenjat e gishtave për ngjarje kriminale.

Të ndodhur para kësaj përgjigjeje negative për hetimin, prokurorët e Krimeve të Rënda po përgatisin shkresat për t’iu drejtuar kompanisë “Aleat”, për të krahasuar gjurmët e zbuluara në makinën e Prefektit, me gjurmët e lëna nga shtetasit shqiptarë përgjatë procesit të pajisjes me kartën e identitetit.

Një burim tjetër nga sektori i Antiterrorit, në Policinë e Shtetit, i tha Top Channel se ka dyshime të forta, se në qytetin e Vlorës ekziston një grup i specializuar në vendosjen e lëndëve plasëse, një metodë kjo që ka dyshime se, në të paktën dy raste, është aplikuar me porosi nga të dyshuar të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA