Londër, dënohen shqiptarët

25/12/2013 01:10

Shtatë pjesëtarë të një grupi shqiptarësh, që kishte krijuar rrjetin e vet të shpërndarjes së drogës në Londër, janë dënuar me 73 vjet heqje lirie në total.

Në Gjykatën Qendrore Penale në “Old Baily”, 31-vjeçari Alket Mehmeti, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij, dhe disa lituanezë janë dënuar, pasi u janë kapur gjashtë kilogramë kokainë.

Shqiptarët bashkëpunonin për shtimin në sasi dhe shpërndarjen e drogës, të cilën e merrnin nga një pronar lavazhi, i njohur me emrin Tefik Hoda, edhe ky shqiptar me banim në Londër.

Në shtëpinë e tij, Polica Metropolitane ka gjetur prerësen dhe shumë pajisje që përdoreshin për paketimin dhe shpërndarjen e drogës.

Ata janë arrestuar gjatë kësaj vere dhe të gjithë kanë pranuar akuzën për konspiracion për furnizimin e drogës së klasit A, duke marrë kështu dënime të reduktuara.

Sipas Komandantit, Dave Shore, të njësisë së Agjencisë Kombëtare të Krimit, siç njihet ndryshe FBI-së britanike, vlera në treg e kokainës së kapur shkonte në 1,6 milionë stërlina.

“Hetimi ynë për këtë bandë ishte i gjatë dhe i lodhshëm, por ne arritëm deri në krye të tyre dhe ata janë burg, ku edhe e kanë vendin”, tha dedektivi, Dave Shore.

Ndërkohë, një grup tjetër shqiptarësh janë dënuar këto ditë për shpërndarjen në sasira të mëdha të heroinës dhe kokainës në Londër dhe përreth saj.

Në periudhën Maj-Qershor të këtij viti, ky grup është parë të tregtonte dhe transportonte drogë me një vlerë tregu më shumë se 2,5 milionë stërlina, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë Metropolitane të Londrës.

Të tre pjesëtarët e këtij grupi kanë pranuar fajësinë në Gjykatën e e Kurorës në Kingston, ku Rigert Caushi, 31 vjeç, është dënuar me 13 vjet burg dhe Suel Spahiu, 28 vjeç, me 11 vjet për konspiracion për furnizimin e kokainës dhe heroinës.

Sipas inspektorit dedektiv, Nick Blackburn, të “Task Forcës” Qendrore të Policisë Metropolitane, “arrestimet ishin rezultat i një operacioni të gjatë, që kishte objektiv këtë rrjet droge, që shpërndante drogën në Londer dhe në rrethinat e saj”.

Në momentin e arrestimit, në makinën e tyre janë kapur nëpër pako, pesë kg kokainë dhe tre kg heroinë, si dhe 10 mijë stërlina e 5 mijë euro parà “cash”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë britanike.

Gjatë këtij viti, duket se ka një aktivitet të ethshëm të grupeve shqiptare të shpërndarjes së drogës, ku me sa duket fitimi është shumë i madh, pavarësisht nga shkalla e dënimeve të dhëna nga gjykatat angleze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA