Si t’i shpjegoni fëmijës që Babagjyshi nuk ekziston

23/12/2013 00:00

Po afrohen festat, periudha e pasur me magji dhe iluzione për të
rriturit e sidomos për të vegjlit! Por ndërkohë që fëmija yt po rritet
dhe ty të mundon fakti se si t’ia thuash të vërtetën se babagjyshi i
Vitit të Ri nuk ekziston në një kohë kur vitet e kaluara ai dhe
gënjeshtrat për të kanë qenë në qendër të vëmendjes së tij!

Mos u shqetëso, “Ndryshe” do t’ju ndihmojë të përgatiteni për të përballuar me qetësi argumentet, kur të vijë momenti.

“Më duket se i gënjej”

Së pari, të lini fëmijën tuaj të besojë te babagjyshi nuk do të thotë se gënjeni. Kjo në fakt do të thotë që ju inkurajoni aftësinë e tij për të besuar në një mit, për të marrë pjesë në një ritual shoqëror dhe për të festuar një traditë që është pjesë e shoqërisë tonë në një mënyrë karakteristike.

Mbani misterin

Prapa gënjeshtrave rreth Santa Klausit, fshihet një dëshirë e sinqertë nga ana e prindërve për t’i bërë të vegjlit të ëndërrojnë dhe të jetojnë magjinë dhe emocionet e pritjes së tij më 25 dhjetor. Pavarësisht nga kjo, ju nuk duhet t’i impononi bijve tuaj historitë dhe versionet tuaja të hollësishme të fakteve. Lëreni të lirë imagjinatën me pak fjalë dhe fantazia do të bëjë pjesën tjetër. Më pas ndihmojini ata duke i dhënë disa pista që fillojnë me “Thuhet që…”, por lërini që të jenë ata vetë që të perceptojnë mitin e babagjyshit të Vitit të Ri me idetë dhe ëndrrat e tyre. Deri në moshën 6-7 vjeç, fëmijët vendosmërisht besojnë në magji dhe janë në gjendje të shpikin histori dhe fabula edhe nëse nuk ka ndodhur asgjë.

Babagjyshi: ai i vërteti dhe sozia e tij

Gjërat fillojnë të ndërlikohen kur fëmija yt përballet me shumë babagjysha të Vitit Ri të ndryshëm, në supermarket, në rrugë ose në shkollë. Historia bëhet edhe më e pabesueshme kur si babagjysh i Vitit të Ri është një fëmijë i vogël. Në këtë pikë ju si prindër do të përballeni me pyetjen: “Mami, babi, po cili është babagjyshi i Vitit të Ri i vërtetë?”. Pyetje së cilës mund t’i përgjigjeni: “Shpirt, ai nuk është babagjyshi i vërtetë jo, ai është vetëm një burrë i transformuar për të argëtuar fëmijët. Babagjyshin e Vitit të Ri nuk e sheh askush, pasi ai hyn në shtëpi kur të gjithë flenë”. Duke filluar nga 4-5 vjeç fëmijët mund të asimilojnë këtë koncept pa pushuar së besuari te  babagjyshi i Vitit të Ri.

Mos thoni: “Nëse nuk sillesh mirë, babagjyshi i Vitit të Ri nuk do të sjellë dhurata”

Këto kërcënime rrallëherë janë të efektshme te fëmijët, përderisa pjesa më e madhe e tyre e kupton që pavarësisht se sillen keq, dhuratat i marrin gjithsesi. Përveç kësaj, kjo frazë mund të interpretohet keq nga fëmijët që fatkeqësisht nuk kanë marrë dhurata. Ata do të pyesin veten se çfarë kanë bërë një gjë kaq të keqe për të merituar këtë ndëshkim të babagjyshit të Vitit të Ri.

Kur zbulojnë të vërtetën në shkollë

Shpesh, fëmijët e zbulojnë të vërtetën në shkollë, e treguar nga fëmijët e tjerë të lumtur që e kanë zbuluar nga të rriturit (fëmijët janë “mizorë” dihet kjo gjë!). Nëse fëmija yt kthehet nga shkolla i trishtuar dhe i zhgënjyer, mbase nuk është gati të heqë dorë nga magjia dhe përrallat. Në këtë rast, mund t’i thuash se babagjyshi i Vitit të Ri ekziston vetëm për ata që e besojnë. Mos u shqetëso nëse i vogli yt, dëshiron ende të besoj edhe pak, t’i inkurajojë, shokët dhe shoqet e klasës nuk mund të shkatërrojnë ëndrrat e tij/saj…Janë prindërit ata të cilët e dinë se kur fëmijët e tyre janë mjaftueshëm të rritur për të zbuluar të vërtetën.

Si t’ua thoni të vërtetën?

Të vërtetën duhet t’ua thoni me shumë takt si të ishte një sekret midis të dyve. Së pari, është e rëndësishme t’i thoni se të rriturit i lënë fëmijët të besojnë te babagjyshi i Vitit të Ri për të zhvilluar imagjinatën e tyre dhe për të ëndërruar me histori të mrekullueshme. Përveç kësaj qëndroi pranë në momentet kyçe të festave të fundvitit, pa e braktisur në zhgënjim: përgatisni pemën e Vitit të Ri, mbështillni dhuratat, bëni ëmbëlsira etj. Këto janë momente të rëndësishme edhe kur ai/ajo nuk beson më te babagjyshi i Vitit të Ri. Ndërkohë, mos harroni që ta lajmëroni që të mos u thotë gjë fëmijëve të tjerë më të vegjël që besojnë ende te babagjyshi i Vitit të Ri!

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta