I hiqet leja për fëmijën e dytë, nëna rrezikon abortin e detyruar

23/12/2013 16:40

Një nënë kineze në pritje të fëmijës së saj të dytë mund të jetë e detyruar që të abortojë për shkak të ligjit që kufizon lindshmërinë në vendin e saj, ndonëse kërkesa për të pasur një fëmijë të dytë iu aprovua prej autoriteteve më parë.

Përpara se të vendosnin të bënin një fëmijë të dytë, çifti mori një autorizim nga Autoriteti i Planifikimit Familjar në Nanning, në Kinën Juglindore, në muajin qershor.

Pas disa muajsh përpjekje, gruaja mbeti shtatzanë, por në dhjetor i mbërriti një letër në të cilën informohej se autorizimi ishte revokuar, pasi leja fillestare ishte gjykuar si e gabuar.

Sipas bashkëshortit të identifikuar në shtyp vetëm me emrin Luo, problemi lidhet me interpretimin e autoriteteve me ligjin që kufizon lindjen e fëmijëve.

Në bazë të ligjit të mëparshëm, një çift mund të aplikonte për një lindje të dytë nëse bashkëshorti jetonte me familjen e gruas, por tashmë kjo e drejtë është modifikuar dhe me kriteret e reja, Luos dhe bashkëshortes së tij nuk i takon më kjo e drejtë.

Në bazë të ligjit kinez, lindja e një fëmije të dytë të paautorizuar shoqërohet me një gjobë të rëndë për t’u paguar, ndërsa fëmija i tretë konsiderohet i jashtëligjshëm dhe hiqet me forcë nga shteti në çdo rrethanë.

Ndonëse ata kanë vetëm një fëmijë të mëparshëm, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike, Luo dhe e shoqja shtatzanë nuk kanë para të paguajnë gjobën, ndaj përballen me mundësinë që fëmija që gruaja ka brenda saj të abortohet në mënyrë të detyruar.

Për këtë, çifti ka ngritur nga padi dhe po ndërmerr një fushatë apeli publik, për të lindur fëmijën e dytë, për të cilin çifti kishte marrë leje më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA