Arsyeja kryesore përse të porsalindurit dhe foshnjet kanë shpesh probleme me gjumin është se prindërit nuk janë në gjendje të kuptojnë orën e tyre biologjike dhe momentin kur me të vërtetë duhet t’i vënë të flenë, tregoi një studim i kryer nga disa shkencëtarë amerikanë.
Shpesh herë, prindërit i vënë foshnjet e tyre në krevat shumë më herët, duke i detyruar ata që të qëndrojnë për orë të tëra pa bërë asgjë.
Kjo është edhe arsyeja përse shumë të porsalindur qajnë në mënyrë të vazhdueshme, përpara se të arrijnë të flenë me të vërtetë.
Studimi që arriti në këto përfundime u realizua prej një grup ekspertësh të Universitetit të Misurit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kërkuesit morën në studim 14 foshnje të moshës 30-36 muajsh, duke analizuar zakonet e tyre të gjumit përgjatë gjashtë ditëve dhe netëve radhazi.
Ajo që arritën studiuesit të kuptojnë, duke analizuar se sa kohë i duhej një fëmije të flinte pasi vendosej në shtrat në momente të ndryshme të 24-orëshit, ishte se momenti në të cilin fëmijët flenë më shpejt është intervali i kohës 7:40-8:10 të mbrëmjes.
Nga këto statistika, që përputheshin tek të gjithë fëmijët, kërkuesit arritën në përfundimin se është pikërisht ky moment, në të cilin foshnja ndien më shumë nevojën biologjike për të fjetur.
Top Channel