Vriten dy shqiptarë dhe polici grek

08/12/2013 09:40

Dy shtetas shqiptarë, vëllezërit Melsi dhe Klevis Çollaku, si dhe një polic grek kanë humbur jetën gjatë një shkëmbim-zjarri mesnatën e së shtunës në kufirin greko-shqiptar.

Ngjarja tragjike ka ndodhur pranë fshatit Vrontero të Follorinës, kur një grup kontrolli prej tre vetësh i policisë kufitare, që patrullonte në bregun e Prespës së Vogël për peshkim të paligjshëm, ka gjetur në një kasolle dy shtetas shqiptarë.

Sipas deklaratës për shtyp të policisë, një prej oficerëve ka qëndruar larg kasolles, në gatishmëri, ndërsa dy të tjerët janë afruar dhe kanë hyrë brenda saj. I pari, me pistoletë në dorë, dhe i dyti, duke mbajtur elektrikun e dorës.

Në fillim ata kanë zbuluar një person të mbuluar me batanije, i cili është zgjuar duke bërtitur. Në të njëjtën kohë, policët grekë kanë parë se në cepin tjetër, një person i dytë u ka drejtuar kallashnikovin dhe janë përpjekur të dalin menjëherë. Por, njëri prej tyre nuk ka mundur t’u shpëtojë plumbave.

Sipas komunikatës, ai është qëlluar në tre vende të trupit dhe plaga e fundit ka qenë vdekjeprurëse. Ndërkohë, polici i tretë ka hapur zjarr, duke qëlluar në fillim njërin prej vëllezërve Çollaku dhe më pas vëllanë tjetër, që ka marrë automatikun edhe ai për t’iu përgjigjur breshërive të dy policëve të tjerë.

Ngjarja, që nuk ka zgjatur më shumë se 2 minuta, ka ndodhur në një zonë malore pranë Prespës së Vogël, 45 minuta nga rruga kryesore, ndërsa temperatura në zonë shënonte -15 gradë C.

Menjëherë ekspertët e policisë kanë marrë shenjat e gishtave të dy vëllezërve dhe ua kanë çuar policisë shqiptare, e cila ka bërë identifikimin e tyre. Vëllezërit Melsi dhe Klevis Çollaku janë banorë të fshatit Shuec në Korçë, të cilët ishin larguar nga banesa e tyre një ditë më parë, drejt Greqisë në mënyrë klandestine.

Megjithëse policia dyshon se bëhet fjalë për trafikantë droge apo hajdutë shtëpish në zonën e Follorinës, rreth kasolles nuk janë gjetur deri tani as lëndë narkotike dhe as armë. Gjithë partitë politike greke kanë reaguar për këtë ngjarje dhe i kanë shprehur ngushëllimet familjes së policit 43-vjeçar të vrarë, i cili ishte dhe baba i një fëmije.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA