Në sallën e kongreseve të Senatit belg u mbajt konferenca shkencore “Strehimi dhe shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri, në vitet 1933-1945”, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta të Belgjikës, Shqipërisë, si dhe studiues e përfaqësues të komuniteteve fetare.
“Në 1934, qeveria mbretërore shqiptare iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Komisarit të Lartë të Refugjatëve pranë Lidhjes së Kombeve, Xhejms Makdonald, për të sjellë koloni hebrenjsh në Shqipëri. Më shumë se 500 familje çifute përfituan nga kjo”, tha Sulejman Gjanaj, Profesor në Universitetit e Lirë Ndërkombtar, Bruksel (kryetar i PLL).
“Kjo histori, përtej të zakonshmes, nënvizon humanizmin madhështor, respektin dhe tolerancën e madhe të popullit shqiptar dhe është me rëndësi të theksohet me këtë rast. Është një mesazh, që duhet t’ua kujtojmë të gjithë të rinjve tanë”, tha Joelle Milquet, zëvendës/kryeministre e Belgjikës.
Nga Londra, e ftuar e veçantë për të rrëfyer dëshminë e jetës së saj ishte 93-vjeçarja, Scarlett Epstein, e cila u strehua në Shqipëri në vitin 1938.
“Shqipëria shpëtoi jetën time. I provova gjithë konsullatat me radhë, britaniken, amerikanen, danezen, suedezen, norvegjezen… Të gjitha ato vende që, pas luftës treguan se donin t’ia dinin për atë çfarë u kishte ndodhur çifutëve, por pastaj dikush më tha “a e provove konsullatën shqiptare?”. Kisha dëgjuar në shkollë që, një vend si Shqipëria ekzistonte, por vetëm kaq dija. Gjithsesi shkova në konsullatën shqiptare dhe mirëpritja ishte menjëherë e ndryshme. U ula përballë konsullit. I tregova me frikë pasaportën, se mos më nxirrte jashtë. Më pyeti ç’doja prej tij dhe i thashë një vizë, sepse do të na nxjerrin jashtë këtij vendi. Më tha t’i jepja pasaportën dhe ai e vulosi menjëherë vizën e më tregoi për “besën”. Më tha se, kur të vish në Shqipëri do zbulosh se populli do të jetë shumë i sjellshëm. E pasi isha dëbuar nga Austria, persekutuar e dëbuar nga Jugosllavia, ne u vendosëm në Shqipëri, në Durrës, e menjëherë takuam atje njerëz shumë miqësor dhe u ndiemë të mirëpritur”, tha Scarlett Epstein, dëshmitare e mbijetesës së hebrenjve në Shqipëri.
Përveç fjalimeve dhe dëshmive, të pranishmit ndoqën dhe dokumentarin “Besa”, realizuar nga Norman Gershman. Ky aktivitet u organizua nga profesorët me origjinë shqiptare, Sulejman dhe Ramadan Gjanaj, nën kujdesin e Princeshës Lea.
Përgatiti: Arta TOZAJ
Top Channel