Moti i keq godet Europën

07/12/2013 00:00

Me erërat e saj të forcës së uraganit dhe dallgët më të larta të baticës në dekada të tëra, stuhia “Xaver” mori 7 jetë njerëzish në veri të Europës, përmbyti pjesë të tëra të Hamburgut e la me mijëra shtëpi pa energji elektrike.

Në Norfolk të Anglisë, disa banesa u shkëputen bashkë me faqen e bregut ku ishin ndërtuar e përfunduan në det. Forca e dallgëve të përplasura aty ishte aq e madhe sa policia e mbylli të gjithë zonën me argumentin e rrezikshmërisë së lartë pasi deti mund të përpinte edhe shtëpi të tjera.

Në pjesë të ndryshme të Gjermanisë, komunikacioni detar për anijet, ai ajror dhe tokësor për trenat është ndërprerë për arsye sigurie. Institucionet administrative kanë ndërprerë punën. Shkollat në Hamburg, Schlesvig – Holstein dhe në Bremen qendruan te mbyllura këtë të premte.

Aktualisht aeroportet e goditura më shumë nga anulimet apo vonesat janë ai i Schipholit në Amsterdam dhe ai i Hamburgut. Pikërisht në këtë qytet, ekspertët regjistruan forcën më të madhe të stuhisë. Lartësia e nivelit të ujit atje mbërriti një ditë më parë në gati gjashtë metra. Për herë të fundit, këtë lloj moti  Hamburgu e kishte përjetuar shkurtin e vitit 1962.

Stuhia ka shkaktuar tre të vdekur në Poloni, dy në Britaninë e Madhe, një në Suedi e një në Danimarke. Me dhjetëra fluturime janë anuluar duke prekur pasagjerët në Berlin, Copenhagen dhe Sturup të Suedisë, ndërsa në aeroportin e Schipolit, gjendja po jep shenja të rikthimit në normalitet.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta