Merril Newman, 85-vjeçari amerikan i arrestuar nga autoritetet koreano-veriore më herët gjatë vjeshtës, është deportuar, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, në orët e para të së shtunës.
Media e Koresë së Veriut theksoi se hetuesit përcaktuan se “Newman hyri në Republikën Popullore Demokratike të Koresë sipas një keqkuptimi dhe ndërmori akte armiqësore ndaj saj”.
“Duke marrë në konsideratë pranimin prej tij të aktit të kryer mbi bazën e keqkuptimeve të tij dhe faljen e kërkuar për atë veprim, pendimin e sinqertë për të dhe moshën e avancuar të tij, por dhe gjendjen shëndetësore, institucionet e larta e deportuan atë nga vendi mbi pikëpamje humanitare”, thuhej më tej në raportin zyrtar të Koresë së Veriut.
Sipas familjes së tij, rezidenti i Palo Alto-s në Kaliforni, kishte zhvilluar një tur të organizuar privatisht 10-ditor në Korenë e Veriut gjatë tetorit. Nga telefonatat dhe letrat që kishte dërguar ai, udhëtimi po shkonte mirë dhe nuk kishte asnjë shenjë të ndonjë problemi të mundshëm, ka thënë i biri, Jeff Newman.
Një ditë para se ai të largohej nga vendi komunist, “një apo dy autoritete koreane” u takuan me Newman dhe udhëheqësin e turit të tij, shtoi i biri. Ata biseduan mbi regjistrimet e shërbimeve të Newman, gjë që e vendosi “babanë tim në një situatë shqetësuese”, tha Jeff Newman.
Më pas, vetëm pak minuta para se aeroplani me destinacion Pekinin pritej të nisej, në fund të tetorit, ai u zbrit nga avioni prej autoriteteve koreano-veriore.
Për javë të tëra, qeveria e Penjanit nuk shpjegoi se përse po e mbanin Newman.
Shpjegimi erdhi vetëm pak ditë më parë, kur media shtetërore publikoi dhe transmetoi atë që ata e përshkruan si “falje” të veteranit të luftës koreane. Në fakt, fjala “falje” ishte shkruar në krye të 4 faqeve me shkrim dore, të cilat detajonin veprimet e tij të supozuara të gabuara.
Pas daljes së këtij raporti, zëdhënësja e Këshillit për Sigurinë Kombëtare, Caitlin Hayden, tha se qeveria amerikane ishte “thellësisht e shqetësuar për Newman dhe Kenneth Bae, një tjetër amerikan që mbahet i burgosur në Korenë e Veriut.
Bae u arrestua në nëntor 2012. Majin e kaluar, ai u dënua me 15 vjet punë të detyruar, pasi qeveria koreano-veriore e shpalli fajtor për “akte armiqësore” dhe përpjekje për të rrëzuar qeverinë.
“Apologjia” e kërkuar prej Merrill Newman, ku pranon “fajet” e tij prej keqkuptimeve
Top Channel