Irani, Hagel: Diplomaci ushtarake

07/12/2013 00:00

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel ka deklaruar se qasja diplomatike me Iranin duhet të mbështetet nga një fuqi ushtarake.

Duke folur nga Bahreini, zoti Hagel tha se Uashingtoni mbetet i angazhuar të ruajë një prani të fortë në rajonin e Gjirit.

Irani së fundmi ra dakord të ndalojë një pjesë të programit të tij të uraniumit për 6 muaj, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Analistët vlerësojnë se aleatët e Uashingtonit në Gjirin Arab janë të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara do të ulin vëmendjen ndaj Lindjes së Mesme për ta transferuar atë në Azi.

Zoti Hagel tha në forumin e sigurisë rajonale se SHBA kanë mbi 35 mijë njësi personeli ushtarak në rajon dhe nuk do ta reduktojnë këtë numër.

“Ne jemi të vetëdijshëm se diplomacia nuk mund të veprojë në një vakum. Suksesi ynë do të vazhdojë të varet në fuqinë ushtarake të Amerikës dhe tek besueshmëria e garancisë sonë tek aleatët në Lindjen e Mesme”, deklaroi Hagel.

“Irani ka pasur një influencë tërësisht destabilizuese dhe një Iran i armatosur me lëndë bërthamore do të përbënte një kërcënim të papranueshëm për stabilitetin rajonal dhe global”, shtoi ai.

Në bazë të marrëveshjes së përkohshme të arritur në bisedimet me 6 fuqitë e mëdha në Gjenevë, të cilat do të vijojnë për të gjetur një zgjidhje më të qëndrueshme, Teherani do të përfitojë rreth 7 miliardë dollarë nga lehtësimi i sanksioneve.

Edhe pse marrëveshja në tërësi u mirëprit, Izraeli e cilësoi atë si një “gabim historik” dhe disa senatorë amerikanë e vlerësuan atë si shumë të butë.

Gjatë fjalimit të tij në Bahrein, shefi i Pentagonit tha më tej se, “marrëveshja e arritur bleu kohë për negociata kuptimplota dhe jo për mashtrime”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB