Një prej kompanive më të mëdha ajrore të botës, “Qantas”-i australian është duke përjetuar një situatë tepër të vështirë financiare.
Kjo situatë shtyu “Standard & Poor” të reduktonte treguesin për kompaninë në nivelin më të ulët ditën e premte.
Reduktimi i indeksit për “Qantas” prej gjigantëve të vlerësimeve financiare do të rrisë kostot e huamarrjes për kompaninë, teksa transmeton një sinjal negativ tek të gjithë investitorët potencialë.
Lëvizja e “S&P” erdhi pasi linja ajrore publikoi humbje rekord në 6-mujorin e fundit dhe informoi për shkurtimin e 1 mijë vendeve të punës.
”Konkurrenca e fortë në tregun ajror ka dobësuar profilin e biznesit të “Qantas”, duke e bërë atë të jetë larg niveleve të kënaqshme, ndërsa rreziku financiar është bërë domethënës”, komentoi “S&P” vendimin e saj.
”Ky zhvlerësim nuk ishte i papritur dhe hedh dritë mbi presionin e paprecedent që “Qantas Group” është duke përjetuar nga faktorë të jashtëm, por mbi të gjitha për shkak të një tregu të pabarabartë brenda Australisë”, deklaroi Gareth Evans, drejtori financiar i kompanisë.
Themeluar në vitin 1920, “Qantas”-i numëron në flotën e tij një total prej 143 avionësh, të cilët shërbejnë për të realizuar lidhje të përditshme kombëtare dhe ndërkombëtare me Australinë.
Top Channel