Armët kimike, as në det nuk ka siguri

06/12/2013 00:50

Saga e shkatërrimit të armëve kimike siriane vazhdon, dhe kthesën më të fundit në historinë e asgjësimit të arsenalit të shumëdiskutuar e përbën kërkesa e një grupi ndërkombëtar pune, për ta realizuar këtë nismë jo në det të hapur, siç propozon Uashingtoni, por në një port.

Shtetet e Bashkuara ofruan t’i eliminojnë kimikatet siriane në një anije amerikane, por ende nuk është gjetur një port i përshtatshëm mesdhetar, nga ku mund të kryhet ky proces. Craig Williams, drejtues i grupit të punës për armët kimike, tha gjatë një konference për shtyp në Hagë, se po u krye asgjësimi larg bregut, çdo stuhi sado e vogël do ta zhyste operacionin në kaos.

“Shtypi e ka theksuar se, për faktin që asgjësimi do të ndodhë në një anije, do të ketë probleme e nuk është rasti për të thënë një gjë të tillë. Por, fakti është që, nëse do të bëhet në anije apo në ujë, do të preferoja më shumë një port, thjesht për qëndrueshmërinë e operacionit. Mendojeni pak, një anije me gjithë këto materiale të lëngshme dhe gjithë këto konteinerë, që përballet me një stuhi në det të hapur; konteinerët që lëvizin e kimikatet që rrezikojnë të dalin prej andej; një incident i tillë do ta rrezikonte të gjithe procesin e asgjësimit”, tha Craig Williams, drejtues i grupit CWWG.

Organizata për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW) është vendosur përballë presionesh të mëdha, për të gjetur një plan alternativ shkatërrimi të arsenalit të gazit helmues sirian, pas tërheqjes së Shqipërisë.

35 firma kanë shfaqur interes në këmbim të kontratave tregtare për trajtimin e 800 ton kimikateve, që mund të shkatërrohen në furra djegieje.

Por, rreth 500 ton të tjerë, që përfshijnë edhe agjentë nervorë, konsiderohen si tepër të rrezikshëm për t’u importuar diku, apo për t’u procesuar, ndaj do të asgjësohen larg brigjeve, në një anije amerikane që përdor hidrolizën, e që aktualisht po i nënshtrohet modifikimeve për ta përballuar procesin e asgjësimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA