Al Kaeda merr përsipër sulmin në Jemen

06/12/2013 00:00

Al Kaeda në Gadishullin Arabik ka pranuar se është përgjegjëse për sulmin e ndodhur në Ministrinë e Mbrojtjes në Jemen, gjatë së enjtes, ku humbën jetën të paktën 52 persona.

Grupi bëri me dije se kompleksi i ministrisë në Sana ishte vënë në shënjestër, pasi aty kontrolloheshin avionët amerikanë pa pilot dhe gjendeshin disa ekspertë amerikanë.

Sulmi i së enjtes në distriktin e Bab Al Jaman, në hyrje të qytetit të vjetër të Sanës, nisi në orën 9 të mëngjesit me shpërthimin e një autobombe në portën kryesore të kompleksit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Më pas dhjetëra militantë, që mbërritën në zonë me një veturë të dytë, sulmuan zonën duke vënë në shënjestër civilë që punonin në spitalin ushtarak brenda kompleksit, apo po pacientë që po kuroheshin atje.

Të paktën 4 mjekë, 2 nga Gjermania e 2 nga Vietnami, dhe 3 infermiere, nga Filipinet e India, ishin mes viktimave. Ministria e Jashtme e Filipineve deklaroi se 7 shtetas të saj ishin vrarë në sulm.

Mes viktimave ishte edhe një gjykatës jemenit me bashkëshorten e tij dhe një i afërm i presidentit Abdrabbuh Mansour. Forcat e sigurisë rimorën kontrollin e kompleksit pas vrasjes së militantëve.

Pak orë më vonë, faqja e Al Kaedës në Gadishullin Arabik, Al Malahim pranoi autorësinë e sulmit. “Muxhahedinët kanë arritur të godasin një prej dhomave të kontrollit të avionëve pa pilot. Zyra të tilla në partneritet me Amerikën në luftën e tyre kundër myslimanëve janë një shënjestër e justifikuar, kudo që të pozicionohen”, thuhej në faqen online.

Deri në muajin tetor, ushtria amerikane dhe CIA vlerësohet se kanë kryer në Jemen 81 ofensiva me avionë pa pilot, avione lufte dhe raketa, shumica e të cilave nga viti 2009. Të paktën 437 militantë e civilë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve.

SHBA u shprehën pas sulmit në ministri se ishin të përgatitura për të mbështetur plotësisht partnerët jemenitë. Këshilli i Sigurisë së OKB-së dënoi ngjarjen në mënyrën më të ashpër dhe theksoi nevojën për sjellen para drejtësisë të organizatorëve të sulmit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB