Ka hyrë në ditën e dytë greva e urisë së minatorë të zonës D, në
minierën e Bulqizës. Ata ndodhen prej mëngjesit të së hënës në ambientet
e garderobës, në hyrje të minierës, duke kërcënuar se do të qëndrojnë
atje deri kur të lejohen të rifillojnë punën.
Minatorët kanë kaluar natën në kushte të vështira, në ambient me lagështirë dhe të ngushtë. Ata tregojnë se kanë sajuar një rezistencë për ngrohje, për të përballuar të ftohtin e madh të natës, megjithatë shprehen të vendosur të mos tërhiqen nga kërkesa e tyre. Përfaqësues të tyre ankohen se pranë vendit ku po zhvillohet greva nuk ka asnjë autoambulancë.
Ndërkohë një ditë më parë Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka deklaruar se është urdhëruar pezullimi i aktivitetit minerar të kompanisë ACR në minierën e Bulqizës. Pas një kontrolli njëmujor të ushtruar në 39 subjekte në të gjithë rajonin e Bulqizës, përfshirë koncensionarin kryesor ACR, rezulton se kjo kompani nuk ka kryer investimet e parashikuara në kontratën koncensionare dhe nuk ka përmbushur kushtet e sigurisë në punë.
Duke iu referuar grevës së minatorëve të zonës D, ministri Gjiknuri tha se ky është një reagim i nxitur nga ata që nuk u kanë siguruar asnjë kusht sigurie në punë.
“Kushdo që nxit punëtorët, me mjete të paligjshme për t’i bërë presion autoriteteve publike, mos ushtroni kontroll se ndryshe do të fusim njerëzit në grevë urie, po përballet me shtetin dhe shteti ka të gjithë detyrimin që edhe me mjete penale, të marrë masat e duhura ndaj tyre”, tha Gjiknuri.
Top Channel